Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 15 shkurt, shkruan Kosova Post.
15 shkurt 399 (p.e.s) – Dënohet me vdekje me arsyetim se kundërshtoi perënditë greke Sokrati, që pranohet si themeluesi i filozofisë etike (morale) dhe që është njëri prej filozofëve më të rëndësishëm të periudhës së lashtë greke. Sokrati, për të cilin dihet se ishte njeri modest dhe që nuk merrej me asgjë tjetër përveç disa veseve të këqija dhe filozofisë, ka patur aq ndikim të madh mbi të rinjtë grekë sa që ata e imitonin, veçanërisht ka ndikuar tek nxënësi i tij Platoni. Duke ecur zbathur, zgjatur flokët dhe duke qëndruar të uritur, çdo i ri grek ishte bërë nga një Sokrat. Për të mbajtur gjallë kujtimin e tij pas vdekjes u shkruan vepra të ndryshme si dhe u themeluan edhe disa shkolla. Të gjitha këto institucione u krijuan me idenë për të qenë audiencë e vërtetë e Sokratit në kuptimin intelektual. Në mesin e tyre mund të përmendim “Shkollën e Megaras”, “Shkollën e Cinizmit”, “Shkollën Kirenaike” dhe “Shkollën Elis-Eteria”. Këto shkolla u ndikuan thellë qoftë nga personaliteti i Sokratit, qoftë nga mendimet e tij.
15 shkurt 1914 – Lind aktori dhe regjisori i famshëm kazak, Shaken Ajmanov. Karrierën e tij të aktorit ai e filloi në vitin 1933 në Teatrin Kazak të Dramës në qytetin Alma-Atë. Gjatë periudhës 1947-1951 ai ushtroi detyrën e regjisorit në këtë teatër. Ajmanov, i cili ishte njëri prej themeluesve të studios kinematografike “Kazak Film”, gjatë shfaqjeve ai më së shumti luajti rolet e heronjve të letërsisë klasike perëndimore, ndërsa filmat e tij janë bërë klasikë e kinematografisë kazake.
15 shkurt 1989 – Me tërheqjen e njësisë së fundit nga Afganistani, mori fund edhe pushtimi 9-vjeçar i këtij vendi nga Bashkimi Sovjetik. Gjatë pushtimit që filloi me ftesë të bërë trupave sovjetike nga qeveria komuniste e Afganistanit për të luftuar kundër muxhahidëve, kanë humbur jetën afërsisht 15 mijë ushtarë sovjetikë dhe rreth 1 milionë qytetarë afganë. Gjatë pushtimit sovjetik muxhahidët afgan u mbështetën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Pakistani. Në këtë vend, ku ende nuk është siguruar stabiliteti i brendshëm pas luftës, lufta civile po vazhdon për më shumë se 20 vjet.
1864 – Zjarri në Rotterdam të Holandës dëmton rëndë Muzeun Boijmans, duke shkatërruar pjesën më të madhe të koleksionit fillestar. Muzeu ishte hapur në vitin 1847 me një koleksion dhuruar nga Frans Boymans. Në vitin 1958, muzeut iu shtua edhe koleksioni i biznesmenit Daniel van Beuningen, dhe sot mban emrin Muzeu Boijmans – van Beuningen. Mes artistëve më të njohur me vepra pjesë të koleksionit të përhershëm të muzeut janë Bosch, Rembrandt, Claude Monet, van Gogh, Cézanne, Monet, Magritte, Munch etj.
1879 – Presidenti amerikan Rutherford Hayes nënshkroi një ligj që lejon avokatët femra të argumentojnë çështje para Gjykatës së Lartë. Shumë pak është folur për këtë president, madje disa as që kanë dëgjuar. Rutherford Hayes ishte republikan. Gjatë Luftës Civile arriti gradën e gjeneralit; pas luftës shërbeu si kongresmen për dy mandate, ku edhe krijoi reputacionin e politikanit të ndershëm. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1868, Rutherford humbi votat popullore, por fitoi ato të Kolegjit Elektoral (185-184). Si presidenti Hays ndoqi një politikë pajtuese ndaj shteteve të jugut. Ai shërbeu vetëm një mandat – nuk dëshironte të ri-kandidonte – pjesën tjetër të jetës e kaloi duke u marrë me çështje humanitare – vdiq më 17 janar 1893, 71 vjeç.
1936 – Hitleri shpall planet për ndërtimin e automobilit “Volkswagen” “makinë e popullit”, me një çmim të përballueshëm. Dy kompanitë më të mëdha Daimler – Benz dhe Auto Union, ranë dakord për të financuar projektin i kryesuar nga Ferdinand Porsche. Në vitin 1935, makina e pare Volkswagen doli në rrugë, por me çmim më të lartë. Dhe qeveria krijoi një program financimi; klientët duhej të depozitonin çdo javë të paktën 5 marka në një llogari pa interes bankar. Kur shuma të arrinte 750 marka, personit i dërgohej Volkswageni në shtëpi. Rreth 270,000 gjermanë u regjistruan në këtë program – asnjë Volkswagen nuk iu dorëzua ndonjëherë ndonjë klienti civil.
1965 – Këngëtari i Bitëllsave John Lennon (1940-1980) merr patentën e shoferit. Për të thuhet se ishte shofer shumë i keq, sidomos pas një aksidenti rrugor që e bëri të humbte plotësisht vetëbesimin në ngarjen e makinës. Që nga ajo kohë, kur shkonte në studiot e regjistrimit, Lennon merrte taksi ose shofer me pagesë.
1970 – U themelua Universiteti i Prishtinës.
2005 – Portali për video YouTube, u paraqit për herë të parë në ShBA.
Lindje
1564 – Galileo Galilei, filozof dhe fizikan italian (vdiq më 1642)
Vdekje
1984 – Gjon Mili, fotograf