Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 18 prill, shkruan Kosova Post.
18 prill 1935… Kongresi i 12-të Ndërkombëtar i Gruas filloi punimet në Pallatin Yildiz të Stambollit nën kujdesin e veçantë të Ataturkut me pjesëmarrjen e aktivisteve në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gruas nga hapësira të ndryshme gjeografike. Krahas të drejtave të gruas, barazisë gjinore, sigurimit të përfshirjes së mjaftueshme të gruas në fushën ekonomike dhe politike si dhe temat të tilla si: dinjiteti i gruas, në kongres u shqyrtuan edhe çështjet e racizmit dhe shëndetësisë. Në kongres morën pjesë 210 përfaqësuese nga 30 vende si: India, Egjipti, Franca, Rumania dhe Austria.
18 prill 1946… U shpërbë Lidhja e Kombeve, e cila ishte një organizim që mund të pranohet si themeli i Kombeve të Bashkuara (OKB) të sotme. Lidhja e Kombeve u themelua pas Luftës I Botërore në Zvicër me qëllim për të zgjidhur në mënyrë paqësore problemet e mundshme ndërmjet vendeve. Kjo lidhje punoi për një kohë, por nuk ishte shumë aktive.
18 prill 1951… Me nënshkrimin e Traktatit të Parisit u themelua Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, i cili ishte hapi i parë që do të përbënte themelet e Bashkimit të sotëm Evropian (BE).
18 prill 1954… Në Egjipt, Xhemal Abdulnasir i dha fund regjimit mbretëror me grushtshteti.
18 prill 1955… Vdiq teoricieni i fizikës dhe shkencëtari gjerman, fituesi i Çmimit Nobel për Fizikën, Albert Ajnshtajn. Ai njihet si fizikani më i rëndësishëm i shekullit për teoritë në këtë fushë dhe gjithashtu cilësohet si themeluesi i fizikës moderne.
18 prill 1989… Fëmija i parë i fekondimit in vitro lindi në qendrën e Fertilizimit të Asistuar të Universitetit “Ege” në Izmir.
1590 – Ahmet i parë – sulltani i 14-të i perandorisë osmane – jep urdhër për ndërtimin e një xhamije në Stamboll. Xhamia Ahmet është një xhami historike dhe njihet gjerësisht si Xhamia Blu për pllakat blu që zbukurojnë muret e brendshme të saj. Sulltani ishte shtyrë jo vetëm nga dëshira për të lënë pas një xhami perandorake me emrin e tij, por edhe për të ndërtuar një monument që do të rivalizonte Hagia Sofian e ndërtuar nga të krishterët. Aq e madhe ishte ambicia e sulltanit sa nuk lejonte asnjë gabim; madje i preu kokën arkitektit të parë, dhe zgjodhi më pas një tjetër, Mehmet agën, i cili kishte qenë nxënës i arkitekt Sinanit, i njohur si gjeniu shqiptar i arkitekturës. Xhamia e Ahmetit përfundoi pas 6 vjetësh, dhe sot e kësaj dite mbetet një nga shembujt më të mirë të arkitekturës klasike osmane. Mes zbukurimeve të brendshme të Xhamisë Blu përfshihen edhe vargje nga Kurani, të shkruara nga Seid Gubari, i njohur si kaligrafisti më i mirë i asaj periudhe.
1902 – Quetzaltenango, qyteti i dytë më i madh në Guatemala, shkatërrohet nga tërmeti.
1902 – Danimarka bëhet vendi i parë që miraton përdorimin e gjurmëve të gishtrinjve për të identifikuar kriminelët.
1924 – Simon & Schuster publikojnë fjalëkryqin e parë.
1930 – Për herë të parë në Radio BBC njoftohet se nuk ka lajme.
1958 – Një gjykatë federale e Shtetet e Bashkuara vendos se poeti Ezra Pound duhet të dalë nga spitali i çmendinës. ku ishte mbajtur për 12 vjet. Por a kishte qenë poeti i çmendur? Një historian dhe një psikiatër, në mënyrë të pavarur, sjellin një pamje të re të rrethanave që çuan në izolimin e Ezra Poundit në spital dhe mos nxjerrjen në gjyq për tradhti. Pound (1885 – 1972) ishte poeti amerikan që transmetoi në radio propagandë për Italinë fashiste gjatë luftës dhe më pas u mbajt në rrethana të rehatshme në Spitalin e çmendinës St Elizabeth në Uashington 1946-1958; me sa duket për shkak se ishte i çmendur – në të vërtetë ishte mjaft racional për t’u gjykuar për tradhti, sipas Stanley Kutler, Profesor i Institucioneve amerikane në Universitetin e Wisconsiit. Profesor Kutler shkruan se Pound, ishte fashist amerikan, tradhtar dhe antisemit – i cili me ndihmën e një inspektori spitali në St Elizabeth, mashtroi zyrtarët e qeverisë që kërkonin ta ndiqnin penalisht për ndihmën dhënë armikut në kohën e luftës. Por vetë Ezra ç’do të thoshte po të ishte gjallë? Kjo nuk dihet, por në një rast diku ka shkruar: “Askush nuk mund të kuptojë diçka nëse nuk ka parë dhe jetuar të paktën një pjesë të saj.”
1968 – Ura e Londrës iu shit një amerikani, i cili e çmontoi, i transportoi copat në SHBA, dhe e rindërtoi urën në Arizona.
1969 – Melina Merkuri krijon Fondin e ndihmës greke, ndërsa Greqia ndodhej nën diktaturë. Emri i saj ishte Maria Amalia Merkuri, lindur më 1920 në Athinë, në familje arvanitase, ishte aktore, këngëtare dhe politikane; fituese në Festivalin e Filmit në Kanë; kandidate për Çmimin Oskar; marrëse e çmimit Tony për muzikë dhe 3 herë Golden Globe në SHBA; aktiviste politike gjatë juntës ushtarake 1967-1974; anëtare e Parlamentit në vitin 1977 dhe ministre e Kulturës më 1981, e para ministre grua në Greqi.
1978 – Senati voton për t’i kthyer Panamasë Kanalin më 31 Dhjetor 1999. Kanali i Panamasë, që lidh dy oqeanet, Atlantik e Paqësor, ishte një ide gjermane, filloi nga francezët dhe përfundoi nga amerikanët, u përurura nga presidenti Woodrow Wilson më 1914.
1992 – Vdiq në Moskë, në moshën 80 vjeçare, albanologia e njohur ruse Agnija Desnickaja. Ajo u shqua në fushën e studimeve krahasuese të gjuhëve indo-evropiane. Prej viteve 1950, kjo shkencëtare iu përkushtua gjuhëve ballkanike, veçanërisht shqipes; që, sipas Robert Elsiet, e bëjnë Desnickajën themeluesen e studimeve albanologjike në Rusi. Fatkeqësisht, lidhjet e saj me studiuesit në Shqipëri u ndërprenë më 1961, kushtëzuar nga prishja e marrëdhënieve sovjeto – shqiptare, ndërsa puna e saj mbi shqipen u shpërfill plotësisht në Shqipëri, për shkaqe politike, gjatë gjithë viteve 1970 – 1980. Kjo ishte periudha kur librat e Agnija Desnickajas panë dritën e botimit në Prishtinë; p.sh., “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj” (1972) apo “Letërsia shqipe dhe Gjuha shqipe” (1987) FESH.
Festa dhe përvjetore
Dita e trashëgimisë kulturore në Kosovë