Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 17 shkurt, shkruan Kosova Post.
17 shkurt,2008, Kosova shpallet Shtet i Pavarur e Sovran.
17 shkurt 1926 – Miratohet Kodi Civil i Turqisë, i cili zëvendësoi ligjin e quajtur “Mexhele”, që kishte mbetur nga periudha osmane e që përmbante rregulla nga e drejta islame. Kodi i ri civil u hartua si rezultat i studimeve të gjata duke u bazuar në kodin civil zviceran. Arsyeja kryesore që është marrë për bazë ky ligj ishte se ai në atë kohë ka qenë ligji i fundit i hartuar në Evropë, ka qenë demokratik dhe bazohej në barazinë gjinore. Me anë të këtij ligji të miratuar në Republikën e porsaformuar të Turqisë, martesa zyrtare dhe monogamia u bënë të detyrueshme, u bënë rregullime në çështjen e trashëgimisë, mori fund juridiksioni i patrikanës dhe konsullatave dhe u sigurua unifikimi i legjislacionit në vend.
17 shkurt 1933 – Vdes poeti dhe kompozitori kirgiz Toktogul Satilganov. Ai filloi të shkruaj në moshën 13-vjeçare dhe ishte një poet dhe kompozitor që zakonisht shkruante improvizime këshillëdhënëse. Për nder të kontributit të madh që ai i dha kulturës kirgize emrin e tij mbajnë sot Filarmonia Shtetërore Kirgize dhe shumë institucione dhe shkolla të ndryshme. Sot në Kirgizi ndahet Çmimi i Shtetit Kirgiz që mban emrin e tij për të arriturat në art dhe letërsi.
17 shkurt 1936 – Në një gazetë amerikane filloi të botohet personazhi i “Maskës së Kuqe”, i cili ishte krijuar nga Li Falk (Lee Falk). “Maska e Kuqe”, që ishte heroi i parë me “kostum të posaçëm” në botën e romaneve vizatimore, në fillim botohej në formatin bardhezi. Pasi më vonë në disa vende të botës ky personazh botohej me kostum ngjyrë vjollce, si përfundim ai u njoh në botë me kostum të kuq. Personazhi i këtij romani vizatimor është i bazuar në legjendë 400-vjeçare të një të riu, anija e të cilit u sulmua nga piratët dhe që më vonë doli në një ishull, ku e shëruan xhuxhët. Pastaj ky i ri të gjithë jetën e tij ia përkushtoi luftës kundër piraterisë, padrejtësisë dhe mizorisë.
17 shkurt 1959 – Në afërsi të aeroportit Getvik (Gatwick) rrëzohet avioni, i cili transportonte në Londër ish-Kryeministrin e Turqisë, Adnan Menderes dhe delegacionin që e shoqëronte. Delegacioni turk shkonte me avion në Londër për të marrë pjesë në Bisedimet e Qipros. Për shkak të mjegullës avioni kërkoi të bëjë ulje të detyrueshme, por u rrëzua në një zonë pyjore pa arritur të zbriste në pistë. Kryeministri Adnan Menderes shpëtoi nga ky aksident ajror, por humbën jetën 14 anëtarë të delegacionit, në mesin e të cilëve edhe drejtori i përgjithshëm i agjencisë së lajmeve “Anadolli”, Sherif Arzëk (Şerif Arzık).