“Ratko Mladiç u dënua, kreu politik në Serbi po hesht, pasi Gjykata nuk e lidhi Serbinë me UZP-në (ndërmarrje e përbashkët kriminale)”.
Kështu ka shkruar në Twitter, ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç.
“Por kjo është fitore e Pirros. Nuk do të kishte as Srebrenicë e as Tomashicë nëse Serbia nuk do të përkrahte financiarisht, ushtarakisht, moralisht e ideologjikisht ushtrinë, gjeneralët e të cilës janë dënuar për gjenocid”, ka shkruar ajo Twitter.
Ish-komandanti serb i Bosnjes, Ratko Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër popullatës jo serbe në luftën e Bosnjës.
Ai ka humbur apelin e bërë kundër dënimit të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata ka mbajtur vendimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995. /Albanianpost.com