Ka lëvizje filozofike që duan të kthehen te Kanti apo Hegeli dhe të tjera që duan të ndërpresin çdo lidhje me ta. Unë e konsideroj veten Kantian, por që përfshin disa elemente të filozofisë së Hegelit. Megjithatë, ajo që më shqetëson me Hegelin është metafizika e tij; Dallimi midis meje dhe atyre që kërkojnë të lëvizin përtej Kantit është se, për mua, Kanti ende ofron kornizën e të menduarit filozofik.
Unë nuk shoh sesi mund të kalohet në tërësi përtej Kantit, por pranoj se ka elementë që duhet lënë pas. Që nga kritika e famshme e Hegelit për idealizmin transcendental të Kantit, deri te Niçe, Heiddeger, Karl-Otto Apel, Meillassoux, deri te Realizmi i Ri, ka pasur përpjekje për të shkuar përtej Kantit. Një numër i madh i filozofëve post-Kantian janë thjesht shumë të pakënaqur me Kantin. Jo të gjithë janë aq të pakënaqur me Kantin, me siguri. Rawls, Habermas, Forst, Ypi, të cilët secili në mënyrën e vet i kthehen Kantit dhe e konsiderojnë Kantin absolutisht të domosdoshëm edhe pse në formë të modifikuar.
Problemi është se ata që duan të lëvizin përtej duan të lëvizin përtej filozofisë së tij, jo elementeve të veçanta në filozofinë e tij. Dhe pa dyshim, filozofia e Kantit mund të jetë sfiduese për t’u gëlltitur, veçanërisht dualizmi i tij i gjërave në vetvete dhe paraqitjet e tyre, të cilat riprodhohen gjithashtu në filozofinë praktike të dy këndvështrimeve, etj. Por nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi. Unë dua që përmes një rreshti të vetëm nga Hegeli të ilustroj se sa afër dhe sa larg është Hegeli nga Kanti. Natyrisht, Hegelianët do të mbrojnë Hegelin, dhe Kantianët do të mbrojnë Kantin, ndaj nuk kam ndërmend të hyj në atë debat.
“Morali është identiteti i subjektit ose personit me vullnetin universal”. Hegel, Filozofia e Historisë, 66.
Në pamje, ky është një pohim kantian, por në realitet nuk është i tillë. Sepse, si një pohim formal, morali duhet të jetë vërtet identik me vullnetin universal; ky vullnet, për Kantin, nuk është metafizik, një vullnet që ka realitet transcendental. Universaliteti i vullnetit është universalizimi i maksimës subjektive e urdhëruar nga ligji moral. Prandaj, nuk ka dualitet të vullnetit: njëri personal dhe tjetri universal. Këtu Hegeli është dualist. Vullneti universal është trajtë e vullnetit subjektiv që arrin shkallën e universalitetit, i cili detyrimisht duhet të mbetet bosh, sepse përndryshe, si Hegeli do të supozonte një substancë universale.
Në këtë kuptim, mendoj se Hegeli zmbrapset nga revolucioni Kantian në një metafizikë parakantiane, duke postuluar entitete imagjinare për t’i dhënë përmbajtje koncepteve abstrakte. Por, sigurisht, është një debat i gjerë akademik nëse Hegeli e çon projektin revolucionar të Kantit përpara apo mbrapsht (Pippin, Pinkard, Redding, Kreines, etj) por edhe Žižek, se Hegeli avancon një projekt Kantian, madje edhe kur shkon përtej tij. Është e mundur që vetë Hegeli të kishte menduar që po bënte pikërisht këtë.
Gjithashtu, Filozofia e së Drejtës mund të kuptohet se Hegeli po avanconte një tezë kantiane, dhe nganjëherë duket sikur Hegeli thjesht po i ripërtërin parimet konceptuale abstrakte kantiane në një gjuhë metafizike. Për Kantin, shteti është i nevojshëm për lirinë, pasi pa shtet liria është e paimagjinueshme në shoqëri. Hegeli avancon një tezë të ngjashme, por gjithashtu modifikon në mënyrë thelbësore Kantin. Ai argumenton se shteti është liri e realizuar. Kjo është krejtësisht e ndryshme nga Kanti sepse, për Kantin, shteti e bën të mundur lirinë, por nuk është vetë liria. Kështu, filozofia e Hegelit për të Drejtën mund të kuptohet si një shprehje e filozofisë së të Drejtës së Kantit. Megjithatë, kjo është vetëm një pamje, sepse Hegeli shkon përtej filozofinë racionaliste abstrakte të Kantit në filozofinë metafizike dhe spekulative.
Pra, në njëfarë kuptimi, po, Hegeli mbetet më Kantiani nga të gjithë Kantianët. Nëse shikoni me kujdes citimin e mësipërm mbi moralin, vëreni se mund të ketë qenë thënie e vetë Kantit. Por përmbajtja është aq jokantiane sa që Kanti do ta kishte parë absurde ta lidhte filozofinë e tij me atë të Hegelit. Morali është identiteti i subjektives dhe universales, por universalja nuk është një vullnet i pavarur nga vullneti personal, por një universalizim i tij. Vullneti universal nuk ekziston ose nuk i paraprin vullnetit subjektiv por e ndjek atë. Nuk ka vullnet universal, por vetëm një vullnet individual që mund të universalizohet dhe përmes universalizimit krijon edhe universalen. Hegeli e vendos përmbajtjen metafizike në koncepte abstrakte formale. Në këtë kuptim, Hegeli është një krijesë hibride: është edhe kantian edhe jokantian njëkohësisht. Formalisht Kantian, metafizikisht jokantian.