Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në mesnatë, afër një diskoteke në Prishtinë, ku gjatë patrullimit të Policisë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një person, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Gjatë kontrollimit të të dyshuarit (emër i njohur për redaksinë) zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë të zjarrit.
Për shkak të posedimit të armëve, ai është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me armët e sekuestruara me rastin e kontrollit policor.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“