“Filigrani” (telkari), që do të thotë arti i qëndisjes me tela argjendi, përkufizohet si kombinimi i motiveve të vogla të krijuara nga përdredhja e argjendit të derdhur në tel të hollë. Ky art, i cili është tërësisht i punuar me dorë, përdoret më së shumti në bizhuteri dhe aksesorë, përcjell KosovaPost.
Është një nga veprimtaritë më të vjetra në Kosovë, me prejardhje nga shekulli XV dhe që gjendet më së shumti në qytet, pra në Prizren. Përveç artizanalëve individualë që punojnë në shtëpitë e tyre, nga viti 1947 u themelua fabrika me mbi 100 punonjës, duke prodhuar prodhimet e filigranëve për gjithë tregun e ish-Jugosllavisë. “Filigrani” prodhon artikuj të ndryshëm bizhuterish si: unaza, rrathë, zinxhirë etj, por edhe sende tjera tërheqëse të prodhuar kryesisht nga argjendi, si anije dhe artikuj tjerë dekorativë.
Sipas zbulimeve nga gërmimet arkeologjike, teknika e filigranit daton në nga viti 3000 p.e.s. në Mesopotami dhe kuptohet se është përdorur në Anadoll që nga viti 2500 p.e.s. Mendohet se qendra kryesore e telkarit (filigran) ishte Mosuli në shekullin e 12-të dhe se ky art kaloi nga Mosuli në Siri dhe prej andej në Anadoll.
Dihet se punimi i filigranit ka qenë i përhapur tek turqit që nga shekulli i 15-të, veçanërisht në Anadollin Juglindor.
Sot, shembujt më të bukur të artit të filigranit mund të shihen në Midyat, të rrethit Mardin. Përveç kësaj, nënprefektura Beypazari e Ankarasë dhe në Trabzon konsiderohen si qendra ku mbahet gjallë ky art. Ky art i cili daton në shekuj, fatkeqësisht rrezikon të harrohet sepse nuk janë trajnuar shumë mjeshtër të rinj.
*Filigran: Punim argjendarie, në trajtën e një dantelle të thurur me fije të holla e të dredhura ari, argjendi, bakri etj. për të bërë sende të ndryshme të përdorimit vetjak (kuti duhani, stoli etj.), për të zbukuruar veshjet, dorezat e shpatave etj.; telish. Filigran i artë. Filigran argjendi. Kuti (pipe) filigrani.