The Economist
Duke pushtuar Ukrainën, Vladimir Putini do të shkatërrojë jetët e njerëzve larg fushës së betejës – dhe në një shkallë që edhe ai mund të pendohet. Lufta po godet një sistem global ushqimor të dobësuar tashmë nga Covid-19, ndryshimi i klimës dhe një goditje e tregjeve energjetike. Eksportet e drithit dhe farave vajore të Ukrainës pothuajse janë ndalur dhe ato të Rusisë janë të rrezikuara. Së bashku, të dy vendet furnizojnë 12% të kalorive të tregtuara. Çmimet e grurit, të cilët qenë rritur me 53% që nga fillimi i vitit, u rritën me 6% më 16 maj, pasi India bëri të ditur se do të pezullonte eksportet për shkak të një vale alarmante të të nxehtit.
Ideja e pranuar gjerësisht e një krize të kostos së jetesës as nuk rrok dot peshën e asaj që mund të presim. Antonio Guterres, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, paralajmëroi më 18 maj se muajt e ardhshëm kërcënohen nga “spektri i mungesës globale të ushqimit”, që mund të zgjasë me vite. Kostoja e lartë e ushqimeve bazë ka rritur tashmë me 440 milion, numrin e njerëzve që nuk mund të jenë të sigurt se kanë për të ngrënë mjaftueshëm, ky numër tashmë është 1.6 miliardë. Gati 250 milionë janë në prag të urisë. Nëse, siç ka të ngjarë, lufta zvarritet dhe furnizimet nga Rusia dhe Ukraina janë të kufizuara, qindra miliona njerëz të tjerë mund të bien në varfëri. Trazirat politike do të përhapen, fëmijët do të mbeten të pazhvilluar dhe njerëzit do të vdesin nga uria.
Z.Putin nuk duhet ta përdorë ushqimin si armë. Mungesat nuk janë rezultat i pashmangshëm i luftës. Udhëheqësit botërorë duhet ta shohin urinë si një problem global që kërkon urgjentisht një zgjidhje globale.