Komisioni Evropian u dërgoi letër 6 vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, e cila vendosi kufizime të rrepta në kufijtë e saj për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke kërkuar që të mos parandalohet lëvizja e lirë, transmeton Kosova Post.
Zëdhënësi i KE-së, Christian Wigand u përgjigj në pyetjen rreth Gjermanisë që mbylli kufijtë e saj ndaj Çekisë dhe rajonit të Tirolit të Austrisë për të parandaluar llojet e mutuara të COVID-19.
Wigand tha se kanë parë përçarje në lëvizjen e lirë dhe zinxhirin e furnizimit në javët e fundit dhe se KE-ja u dërgoi një letër të gjitha vendeve anëtare javën e kaluar, duke bërë thirrje për qasjen e përbashkët për të mos kufizuar lëvizjen e lirë.
Ai informoi se KE-ja dërgoi letër dje në 6 vende anëtare dhe deklaroi se këto vende janë Belgjika, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Hungaria dhe Suedia, të cilat zbatojnë kufizime të rrepta të udhëtimit.
Wigand thekson se në letrën e KE-së kërkohet që të mos ketë diskriminime në lëvizjen e lirë dhe të trajtohen në mënyrë proporcionale për shkak të ndalimeve të vendosura nga këto vende, veçanërisht për hyrjen dhe daljen nga kufijtë.
Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të veprojnë më shumë në përputhje me rekomandimet e dakorduara më parë nga Këshilli i BE-së. “Ne besojmë se do të gjejmë një zgjidhje për të zgjidhur shqetësimet pa përdorur mjete juridike, e cila është një proces i gjatë”, potencoi Wigand.
Vendet e BE-së tek të cilat KE-ja dërgoi letër kanë 10 ditë kohë për të sqaruar praktikat e tyre në kufij.
KE-ja dëshiron që qytetarët e vendeve anëtare të mos udhëtojnë përveç në situata të detyrueshme, por bën thirrje që liria e lëvizjes të mos prishet, duke theksuar se kufizimet kufitare ndonjëherë parandalojnë edhe udhëtimin e detyrueshëm.
Më tej thuhet se për shkak të kufizimeve në javët e fundit, kishte ndërprerje në transport dhe në zinxhirët e furnizimit në disa vende ndërsa njerëzit që jetojnë në rajonet kufitare dhe të cilëve u duhej të kalonin kufirin për shkak të punës së tyre janë prekur nga kufizimet. (AA)