Sekretari i Shteteve të Bashkuara ta Amerikës, Antony Blinken, ditë më parë i ka dërguar një letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Përveç urimit në letrën e sekretarit Blinken, përmendet edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi.
Blinken ka kërkuar që në mënyre produktive dhe pa vonesë Kosova të përshihet në dialog.
Përveç tjerash, në letër thuhet edhe sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Si dhe është siguruar që Kosova e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.
Lidhur me kërkesë, ekspertët shprehen se kryeministri Kurti duhet që të komunikojë me sekretarin Blinken për çështjen e dialogut. Si dhe në këtë rast Qeveria e Kosovës do të duhet të ftojë pozitën që të krijohet një platformë, se si duhet të veprojë Kosova në dialog karshi Serbisë.
Pozita dhe opozita të krijojnë një platformë për dialog.
Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, në nja prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kurti duhet të komunikojë me Blinken, lidhur me qëndrimin dekonstruktiv serb.“Kryeministri Albin Kurti duhet pa vonesë të komunikojë më Z. Blinken, lidhur me qëndrimin dekonstruktiv serb sa i përket dialogut, lidhur me BE-në e cila nuk i liberalizon vizat Kosovës, ani pse kjo e fundit tani e ka prioritet të parë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përforcimin e shtetit ligjor dhe në fund lidhur me lojërat shantazhuese serbe, që praktikoheshin më parë ndaj Kosovës dhe shteteve mike të saj, vetëm që kjo të marrë pjesë në dialog”, ka deklaruar ai.
Voca ka theksuar se Kosovës është e gatshme për dialog konstruktiv dhe se Serbia me qasjen e saj nuk lejon që marrëveshjes finale t’i hapet rruga përmes njohjes së ndërsjellë.
“Patjetër që Kosova është gjithnjë e gatshme për dialog konstruktiv por se duhet të jenë dy palë që dëshirojnë të njëjtën gjë, për të rezultuar me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, duhet që tani Kosova të jetë në komunikim të vazhdueshëm dhe të ngushtë me Z. Blinken, duke e siguruar se Kosova gjithnjë është e gatshme për dialog, por që Serbia me qasjen e saj nuk lejon që marrëveshjes finale t’i hapet rruga përmes njohjes së ndërsjellë. Serbia, lëre që nuk njeh Kosovën, por nuk do që t’ia dijë për kërkim falje dhe dëmshpërblim akte këto që nuk mund assesi të anashkalohen. Ajo, madje nuk e respekton asnjë marrëveshje paraprake përfshirë edhe atë të Ëashingtonit të vitit të kaluar”, ka thënë ai.
Gjithashtu, profesori ka shtuar se është e domosdoshme që presioni të orientohet kah Serbia pasi ajo nuk respekton asnjë marrëveshje.
“Kosova duhet që të insistojë në faktet se për një dialog të mirëfilltë është e domosdoshme që presioni të orientohet kah Serbia e cila sikur në vitet e 90-ta nuk respekton asnjë marrëveshje, ndërsa gënjen duke mashtruar e shantazhuar gjithnjë ShBA-në dhe Shtetet e BE-së, kinse ajo dëshiron marrëveshje por duke kushtëzuar të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën vetëm nëse ajo përfiton diçka. Nga ky këndvështrim, nuk shoh përfitim tjetër përveç atij të përafrimit të saj me BE, ndaj të cilit ekziston një problem, sepse Serbia dëshiron po ashtu përafrim dhe integrim brenda strategjisë ruse për Ballkanin, dhe luan dyanshëm duke lejuar që përmes saj ndikimi rus të gjen shtrirje të mëtutjeshme në Ballkan. Patjetër që prioriteti është që presioni të orientohet kah Serbia në mënyrë që ajo të shkëputet nga një qasje e tillë meqë vetëm duke u nisur nga kjo premisë mund të hapen rrugët për një fqinjësi të mirë dhe paqe e stabilitet afatgjatë në Ballkan. Dhe mbi këtë perspektivë, Serbia do të duhet të njoh Kosovën, t’i kërkojë falje dhe ta dëmshpërblejë për dëmet shumë dimensionale që ia ka shkaktuar. Vetëm në këtë formë do të mund të mbyllen sado pak plagët e së kaluarës dhe do të mund të aspirojmë për një fqinjësi stabile rajonale”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta ftojë opozitën në mënyrë që të krijojnë një platformë platformë të re për një dialog konstruktiv me Serbinë.
“Është po ashtu me rëndësi të theksohet se që nga periudha e F. Mogherini dhe gjatë mandatit të saj, Serbisë iu lejua që të kalojë në një fazë ofenzivë destruktive të papranueshme. Kjo qasje e saj duhet të ndryshojë sepse është Kosova ajo që ka qenë viktimë nga agresioni gjenocidial serb. Ndërsa Qeveria e Kosovës, duke ftuar edhe opozitën duhet të krijoj një platformë të re për një dialog konstruktiv me Serbinë, gjithnjë duke qenë në harmoni të plotë me qëndrimin e ShBA-së dhe duke thelluar komunikimin me shtetet mike, sidomos me Gjermaninë, Francën dhe Anglinë”, ka deklaruar Mirsad Voca.