Prokurori Valdet Gashi ka kërkuar dënimin e dy të akuzuarve, Labinot Gruda dhe Kadri Shala për rastin e njohur si “2 milionëshi”, kurse i akuzuar Shala tha se ajo çka e shqetëson më së shumti është se brenda 9-10 ditësh Thesari i Shtetit, nuk e ka ditur se ku janë mjetet.
Këto deklarata janë dhënë në seancën e së hënës gjatë fjalës hyrëse të palëve, pasi i akuzuari Shala u deklarua i pafajshëm.
Gruda ishte deklaruar fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërkaq gjatë kësaj seance, pasi Shala u deklarua i pafajshëm, gjyqtari Arben Hoti tha se refuzohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Labinot Gruda, lidhur me veprën penale të shpëlarjes së parasë, që akuzohet se e ka kryer në bashkëkryerje me Shalën.
Ndryshe, prokurori special Valdet Gashi e ka dorëzuar me shkrim fjalën e tij hyrëse, ndërkaq gjatë seancës e ka bërë elaborimin të saj.
Ai deklaroi se gjendja faktike e përshkruar në aktin akuzues, është e mbështetur në provat e propozuara për administrim.
Sipas tij, gjendjen faktike të përshkruar në aktakuzë shumë mirë e vërteton edhe fakti se i akuzuari Gruda ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.
Tutje, ai ka vazhduar me elaborimin e veprimeve të të pandehurve, ashtu siç janë të përshkruara në dispozitivët e aktit akuzues.
Sipas prokurorit Gashi, prokuroria është e bindur se pas administrimit të të gjitha provave të propozuara, do të arrihet të vërtetohet gjendja e përshkruar në aktakuzë dhe fakti se plotësohen të gjitha elementet esenciale për veprat që u vihen në barrë të pandehurve.
“Nga PSRK gjatë fazës së hetimeve janë intervistuar dëshmitarë dhe siguruar prova materiale, ligjshmëria e së cilave është vlerësuar nga kjo gjykatë dhe konfirmuar nga shkalla e dytë. Nga këto prova që mbështesin dyshimin e bazuar mirë që kanë kryer veprat penale, do të provohen veprimet inkriminuese të të pandehurve”, ka thënë Gashi.
Ai shtoi se provat e rëndësishme për këtë proces janë deklaratat e dëshmitarëve që do të vërtetojnë rrjedhën e veprimeve inkriminuese të të pandehurve, do të vërtetohet që nga Thesari janë realizuar katër transaksionet si në aktakuzë, gjithashtu dëshmitarët do të vërtetojnë faktin që Kadri Shala i ka ndihmuar Labinot Grudës, në mënyrën e përshkruar si në aktakuzë.
Tutje, ai ka thënë se nga dëshmitarët do të vërtetohet fakti se kompania “LDA Group SHPK” nuk ka qenë në listën e kontraktuesve të ministrisë për asnjë projekt, e as projektin në fjalë në emër të së cilët është transferuar shuma.
Por, sipas tij, përkundër kësaj pas planifikimit të të pandehurve, janë transferuar shumat për projektet e përcaktuara dhe konkretizuara më qartë në aktakuzë.
Prokurori tha se veprimet e të pandehurve do të vërtetohen edhe nga provat materiale, sikurse sipas tij do të vërtetohet se këto transaksione janë bërë për fshehje apo maskim të prejardhjes, e gjithashtu do të vërtetohet se ka pasur transaksion edhe jashtë Kosovës, respektivisht në Turqi.
“Do të vërtetohet fakti se një shumë e konsiderueshme e mjeteve është tërhequr kesh nga Kadri Shala, se të pandehurit i kanë marrë në mënyrë koordinuese me qëllim të realizimit të qëllimit, të transaksioneve nga Thesari në “LDA Group SHPK” te subjektet tjera dhe personat fizik, do të vërtetohet nga provat materiale”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se prokuroria vlerëson se të gjitha provat e propozuara dhe arsyetuara në aktakuzë do të përshkruajnë në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet, vendin, kohën si dhe dënimin e shkaktuar buxhetit të Kosovës. Po ashtu, sipas tij, të akuzuarit veprimet i kanë kryer me dashje.
“Provat e propozuara për tu administruar do të paraqesin një pasqyrë të qartë për veprat penale që u vihen në barrë dhe prokuroria do të kërkojë në fund të shqyrtimit që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe dënohen sipas ligjit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Tahir Rrecaj, avokati i Labinot Grudës, tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës, për të gjitha veprat penale që është akuzuar.
“I njëjti edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor deri në përfundim të tij do të mbajë të njëjtin qëndrim dhe do të pranojë fajësinë edhe për veprën penale nga pika katër e aktakuzës dhe besoj që trupi gjykues në fund të shqyrtimit gjyqësor do t’i ketë parasysh edhe rrethanat në veçanti pranimin e fajësisë dhe pendimin e të mbrojturit tim dhe do t’i shqiptojë një dënim që do të jetë adekuat”, ka thënë ai.
Kurse, i akuzuari Gruda e ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij.
Ndërkaq, avokati Florent Latifaj, ka thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, me provat që janë propozuar të administrohen në aktakuzë dhe me ato që do t’i propozojë mbrojtja, në asnjë mënyrë nuk do të mund të vërtetohen elementet e veprave penale, sa i përket të mbrojturit të tij, Kadri Shala.
“Në asnjë moment Kadri Shala nuk ka mohuar se në llogarinë e tij bankare janë transferuar nga Thesari i Kosovës shumat prej 2 milionë e 770 mijë euro, mirëpo me asnjë provë të vetme prokuroria nuk ka mund dhe nuk do të mund të vërtetojë se një person fizik jo zyrtar publik, mund të kryejë veprën penale të ndihmës lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare e sidomos jo në rastin konkret kur thuhet në dispozitivin 1 se Labinot Gruda, me qëllim të përfitim në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për veten”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse merret aktakuza dhe shikohet rrjedhja e atyre 2 milionë e 770 mijë euro, i bie që Labinot Grudës nuk i ka mbetur asgjë.
“Nëse e merrni aktakuzën dhe shikoni rrjedhën e atyre 2 milionë e 770 mijë euro, i bie që Labinot Grudës si ka mbetë kurrgjë, sepse ato para i kanë marrë kompanitë dhe kanë paguar faturat që i kanë pas borxh. Cila është arsyeja e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre apo cili është përfitimi i tjetërkujt”, ka thënë Latifaj.
“Ato të dhëna tash sa jemi tu e mbajtë në fjalën hyrëse hyn në ARBK dhe i nxjerr, aq lehtë. Sa i përket veprës penale të shpëlarjes së parave, Kadri Shala akuzohet se me qëllim të fshehjes së burimit të të hollave të fituara në mënyrë të paligjshme dhe dhënies së epitetit që janë fituar në mënyrë të ligjshme, cili është epiteti që janë dhënë në mënyrë të ligjshme apo paligjshme me çka prodhohet ky epitet, apo në mungesë prove kjo fjala epitet rrok gjon, gjithqysh mundet me interpretu, thotë kanë ardhë nga Thesari i Shtetit në një llogari bankare ku janë paguar faturat që kanë qenë borxhe ndër vite”, ka thënë ai.
Sipas avokatit, është e vërtetë që janë bërë pagesa dhe në asnjë moment këtë nuk e mohon klienti i tij.
“Është e vërtetë që janë paguar këto, në asnjë moment nuk e mohon Kadri Shala, cila është paligjshmëria këto që kërkon vepra e shpërarjes së parave për elementet e saj. Gjatë këtij shqyrtimi do të provojmë se nuk ka kryer Kadri Shala as veprën penale të ndihmës as të shpëlarjes së parave”, shtoi Latifaj.
Po ashtu, avokati tha se është e vërtetë se këto para i akuzuari Shala i ka shpenzuar pasi kanë ardhë në llogarinë e tij, por jo duke i ndihmuar dikujt apo duke i shpërlarë.
Kurse, i pandehuri Kadri Shala ka thënë se ai nuk e di ligjin e bankave pasi nuk është bankier, por se çdo transaksion që është bërë, bankieri ka qenë në bankën ku ka dorëzuar faturat dhe e ka kërkuar një rekomandim se a mund të aprovohet kjo pagesë.
“Për çdo pagesë siç e thash më herët unë jam futur fizikisht në bankë dhe çdo herë është aprovuar dhe nga kush aprovohet nga banka apo banka qendrore, nuk e di. Çka mua më shqetëson më së shumti është se brenda 9-10 ditë nuk e di Thesari se ku janë mjetet, nuk e di dikush i shtetit i ligjshëm dhe mua më ka lënë drejt, rrjedhshëm, ngadalë dhe qetë me pagu dhe kam menduar se jam duke vepruar ligjshëm”, ka thënë ai.
Tutje, tha se 440 mijë euro janë paguar me datën 9, ku ka prova se janë paguar për makina dhe se nuk kanë ardhur të njëjtat, pasi ka plasur ky skandal dhe Kosova do t’i marrë ato makina.
“Dhe dalin jashtë shtetit 440 mijë euro dhe shkojnë për 24 orë pa alarm, a është për terrorizëm a për çka kanë kaluar dhe të provohet ky transaksion si brenda si jashtë. Çdo faturë bankieri e ka pyetur dikë dhe unë nuk kam paguar vetëm në një bankë, kam paguar në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, kam paguar faturë 8 mijë euro, 800 euro, 10 mijë euro dhe çdo herë është marrë një rekomandim dhe unë kërkoj të kërkohet rregullorja e bankave dhe të shihet si funksionon dhe si bëhet një pagesë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se kur bie për të fjetur, e mendon shpesh se si u hapën këto rrugë 10 ditë pa u diktuar asgjë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Klit Shala tha se përkrahin deklarimin e prokurorit dhe rezervojnë të drejtën për të paraqitur kërkesë pasurore juridike.
Paraprakisht, kur u deklarua lidhur me fajësinë dhe tha se është i pafajshëm, Shala shtoi se është e vërtetë se në llogarinë e kompanisë së tij kanë rënë mbi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit dhe është e vërtetë se sipas skemave i ka paguar 1 milion e 400 mijë euro në firma të ndryshme, të rregullta dhe jofiktive që kanë qenë në punë.
“Por, edhe më herët për ata që kanë pas obligime, më herët që i kam paguar dhe disa persona fizik një donacion. Kështu mbi 1 milion e 400 mijë euro kanë kaluar nga ato firma të rregullta të cilat kanë kaluar edhe nga ATK. Është e vërtetë se 440 mijë euro janë paguar një firmës turke që nga marsi i vitit 2020 kontratë për faturë dhe pro faturë për blerjen e disa makinave dhe kanë kaluar me pagesë të rregullt në emër të faturës dhe një pjesë të shumës e ka nxjerrë me kesh nga banka është e vërtetë edhe kjo”, tha ai.
Tutje, i njëjti tha se të gjitha këto pagesa i ka kryer ai personalisht nëpër banka fizikisht, jo përmes e-banking.
“Sikurse të kisha pas dijeninë se janë të parregullta sigurisht se nuk do të kisha guximin të futem çdo ditë në bankë dhe të bëj fatura e pagesa, e kisha bërë përmes e-banking dhe e kisha kryer ose të kundërtën do t’i kisha nxjerrë pasi ka pas kohë boll në mënyrë kesh për t’i maskuar. Asnjë logjikë nuk e thotë se unë të marr shpërblim ose të di duke i dhënë dikujt diçka dhe atë si ndihmë nuk është e provueshme se i kaë dhënë dikujt apo faturë kur nga ARBK ka mundur me marr ëdikush llogarinë”, tha ai.
Tutje, tha se ai nuk e pranon fajësinë as për pikën për shpëlarje të parasë.
“Se janë nxjerrë nga shteti jonë dhe janë shpërnda në bizneset tona, ato nuk janë maskuar dhe ato para që janë nxjerrë kesh, i kam deklaruar në hetuesi dhe ka pas firma që nuk ka pas llogari dhe më ka thënë ami kush dhe ia kam dhënë dhe çdo material është emri, vendi dhe personi që është përfitues i shtëpive që kanë qenë duke punuar. Unë edhe njëherë deklarohem se për asnjërën pikë nuk e ndjej veten fajtor”, tha ai.
Kadri Shala deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit
Prishtinë – I akuzuari Kadri Shala nuk e pranoi fajësinë për asnjë pikë të akuzës për rastin e njohur si “2 milionëshi” për vjedhjen nga Thesari i Shtetit, ku buxheti i Republikës së Kosovës u dëmtua 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
Shala u deklarua i pafajshëm, në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Nuk ndihem fajtor”, deklaroi Shala.
Pas kësaj, gjyqtari Arben Hoti tha se refuzohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Labinot Gruda, lidhur me veprën penale nga dispozitivi për shpëlarje të parasë në bashkëkryerje.
Tutje, avokati i Labinot Grudës, Tahir Rrecaj kundërshtoi mospranimin e fajësisë për një pikë të aktakuzës, për të mbrojturin e tij.
“Pse nuk është pranuar fajësia, çka ka lidhje a e pranon edhe i bashkakuzuari kur përgjegjësia penale është individuale. Ky e pranon fajësinë, përndryshe kisha ndërmend të propozoja edhe veçimin e procedures”, tha Rrecaj.
Ai tha se kjo është e paprecedent, ngase nuk sheh asnjë arsye përse të mos i pranohet fajësia të mbrojturit të tij dhe se sipas tij, i akuzuari Gruda nuk është i detyruar me qenë i varur nga i akuzuari Shala.
“Nëse keni arsye tjera, kisha dashtë me ditë”, shtoi Rrecaj.
Në anën tjetër, gjyqtari Arben Hoti tha se trupi gjykues ka konsideruar kësi soji sepse prejudikohet fajësia e një personi, një të pandehuri tjetër.
Kurse, Shala akuzohet se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.
Prokuroria, gjithashtu pretendon se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. /BetimipërDrejtësi/