Reaksioni alergjik i konjuktivave të syrit është në ekspozim ndaj materialeve alergjike si poleni apo pluhura të ndryshëm dhe karakterizohet me skuqje të syve, zmadhim dhe dilatim të enëve të sklerës së syrit, kruarje dhe djegie të syrit, lotim, kapakë të fryrë të syve.
Zakonisht të dy sytë ndikohen së bashku.
Masat parandaluese për parandalimin e konjunktivitit alergjik mund ti rendisim si më poshtë:
Të mos dalësh në diell përveç nëse është e nevojshme ndërmjet orës 10.00 dhe 17.00 kur poleni është intensiv dhe rrezet e diellit janë më të drejtpërdrejta,
Përdorni syze dielli, një kapele ose një ombrellë kur dilni jashtë,
Përdorni kondicionerë me filtra poleni në shtëpi,
Mbani dritaret e shtëpisë dhe makinës të mbyllura gjatë sezonit të polenit,
Shmangi kimikatet, bojërat dhe parfumet,
Shmangi kafshët shtëpiake me gëzof
Shmangi tymin e duhanit dhe mjediseve të paajrosura,
Mos përdorni sende të tilla si qilima dhe tapete që përmbajnë pluhur në shtëpi.
Masat për mbrojtjen e syve janë;
Mos kruani sytë,
Bërja e një komprese të ftohtë. Kompresat mund të jenë të dobishme duke reduktuar kruajtjen dhe inflamacionin.
Vendosja e pikave të lotit artificial të ftohtë në sy dhe
Mos përdorni përkohësisht (deri sa të kalojë shqetësimi) lente kontakti të syve
Krahas këtyre masave paraprake, shmangi edhe shkaktuesit. Gjithashtu mund të përdorni edhe metodat e mëposhtme:
Bëni kompresa të ftohta
Aplikimi i një komprese të ftohtë në syrin e prekur (infektuar) me një leckë të pastër, garzë, napë ose peshqir mund të sigurojë lehtësim të shpejtë nga kruajtjet dhe dhimbjet. Gjithashtu ndihmon në uljen e ënjtjes. Megjithatë, mos përdorni një leckë për të dy sytë, përdorni lecka të ndryshme për secilin sy.
Përdorni qeska çaji të zi
Një metodë tjetër efektive për trajtimin e konjuktivitit alergjik është përdorimi i qeseve (bustinave) të çajit të zi. Çaji i zi ka efekt qetësues për sytë tuaj dhe ndihmon në uljen e dhimbjes dhe inflamacionit. Hidhni 5 qeska çaji në 2 gota me ujë të nxehtë. Hiqni qeskat e çajit, vendosini në një pjatë të pastër dhe lërini të ftohen. Mbajini qeset e çajit mbi qepalla për 15-20 minuta. Përdorni këtë metodë 3 ose 4 herë në ditë derisa gjendja juaj të përmirësohet.
Kamomil
Çaji i kamomilit mund të ndihmojë në lehtësimin e kruajtjes dhe acarimit të syve kur përdoret si një kompresë e ftohtë ose për shpëlarje sysh.
Vendosni 2 qeska (bustina) çaji me kamomil në 2 gota ujë të nxehtë dhe lërini për 5 minuta. Nxirrni qeskat e çajit dhe vendosini diku në frigorifer. Pasi janë ftohur vendosini mbi qepalla për rreth 10 minuta. Përsëriteni 3 ose 4 herë në ditë për një kurë të shpejtë.
Gjithashtu mund t’i lani sytë 2-3 herë në ditë me ujë të ngrohtë me çaj kamomil të përgatitur rishtazi.
Pika ujë trëndafili
Uji i pastër i trëndafilit ndihmon në lehtësimin e skuqjes së syve me vetitë e tij qetësuese dhe ftohëse.
Lani sytë me ujë të pastër trëndafili 2 ose 3 herë në ditë.
Vendoseni pambukun e njomë me ujë trëndafili mbi sytë tuaj duke pritur 15 deri në 20 minuta, 2 ose 3 herë në ditë.
Nenexhik
Hidhni një grusht gjethe nenexhiku të lara mirë në 1 gotë ujë të nxehtë, mbulojeni dhe lëreni për 10 minuta.
Kullojeni ujin dhe prisni që të ftohet. Lani sytë me të 2 ose 3 herë në ditë. Ju gjithashtu mund të njomni një leckë të pastër në këtë ujë dhe të bëni një kompresë të ngrohtë.
Kastravec
Kastravecët e ftohtë janë një ilaç i mirë për të lehtësuar inflamacionin dhe acarimin nga alergjitë.
Pritini një kastravec në feta të trasha. Ftojini fetat në frigorifer për 10 minuta.
Mbani fetat e ftohta mbi sytë tuaj të mbyllur për 10 minuta ose derisa të ndihen të ngrohta.
Përsëriteni metodën disa herë në ditë.
Qumësht i ftohtë
Lagni një copë pambuku të pastër me qumësht të ftohur pasi të jetë zier. Mbyllni sytë dhe njomini përreth. Përsëriteni këtë 2 ose 3 herë në ditë.
Gjithashtu, lagni një leckë të pastër me qumësht të ftohtë dhe lëreni mbi sytë tuaj të mbyllur për 15-20 minuta. Ju mund ta bëni gjithashtu këtë 3 ose 4 herë në ditë.