Diellor Rizaj, këshilltar i ministrit Armend Zemaj, është shkarkuar nga pozita në Bordin Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Diellor Rizaj ishte emëruar në postin e anëtarit të Bordit Drejtues të SHSKUK-së me vendim të Qeverisë, si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë nga pozita e këshilltarit të ministrit Armend Zemaj.
Por Zemaj e kishte liruar Rizajn nga detyra më 14 dhjetor, pasi i njëjti i ishte nënshtruar konkursit për punësim në QKUK. Me t’u punësuar në këtë pozitë, ishte rikthyer sërish në pozitën e këshilltarit në janar.
Gjatë kësaj kohe Rizaj ka vazhduar të mbante mbledhjet me Bordin, ndonëse ligjërisht më nuk ishte anëtar. Kështu ka vlerësuar Zyra Ligjore e Kryeministrit në një sqarim që i ka dhënë SHSKUK-së.
“Riemërimi i Dr. Diellor Rizaj në të njëjtën pozitë përmes vendimit Nr.20/1/2021, të datës 08.01.2021, nuk shkakton efekt juridik prapaveprues në aspekt të vazhdimit të përfaqësimit të tij në Bordin Drejtues të SHSKUK-së”, thuhet në dokumentin të cilin e ka siguruar Shneta.
Sidoqoftë, kjo zyrë ka rikujtuar se përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë në Bordin e SHSKUK-së nuk duhet të jetë nga kabineti i ministrit, pasi nëpunësit e kabinetit nuk ushtrojnë asnjë kompetencë drejtuese ose administrative.