Profesori Enver Bytyçi, nga Departamenti i shkencave politike, ka komentuar letrën që Sekretari i Shtetit, Antony Blink, para disa ditësh i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me të cilën e falendëron për strehimin e afganëve dhe njëkohësisht për kontributin e forcës së sigurisë së Kosovës në çështjet e sigurisë globale.
“Duket se shkas i kësaj letre është bërë strehimi i një numri afganësh nga ana e Republikës së Kosovës dhe kjo pjesëmarrje e saj në implementimin e politikave amerikane e ka rrit autoritetin shtetëror në sytë e departamentit të Shtetit dhe adminsitratës së presidentit Biden. Por letra shënon edhe disa rekomandime të rëndësishme. Sundimi i ligjit, mbrojtja e minoriteteve, rritja ekonomike dhe sigurimi i “marrëveshjes së vonuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me fokus njohjen e ndërsjellë”, janë rekomandimet e zotit Blinken për kryeministrin Kurti dhe institucionet e shtetin e Kosovës. Në fakt të gjitha këto janë edhe shqetësime dhe fokusi i vetë qeverisë së sotme në Prishtinë. Sundimi i ligjit lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe këtë objektiv qeveria e ka në fokusin e saj të plotë, ndonëse me ngadalësi. Sido që të jetë as unë nuk do të rekomandoja nguti. Jo vetëm në ҫështjet e sundimit të ligjit, por në asnjë aspekt tjetër të përgjegjësive që ka qeveria”, vlerëson profesor Bytyҫi.
i thotë më tutje se rritja ekonomike është e lidhur me sundimin e ligjit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Më pas edhe me menaxhimin e mirë të resurseve njerëzore e materiale të vendit.
“Gjatë vitit të kaluar, ndonëse qeveria kishte 8 muaj në qeverisje, bëri të mundur një përparim të dukshëm, sidomos në rritjen e të ardhurave në buxhet, duke e rritur atë me rreth 500 milionë euro, krahasuar me vitet e mëparshme. U rritën të hyrat në dogana dhe tatime dhe kjo më së shumti falë luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal”, vlerëson ai.
Bytyҫi thotë se rekomandimi i zotit Blinken për respektimin e moniriteteve dhe arritjen e marrëveshjes së vonuar midis Kosovës dhe Serbisë është në të njëjtën linjë.
“Jo rastësisht lidhet marrëveshja me respektimin e minoriteteve dhe në këtë rast duhet të mendojmë se fjala është për minoritetin serb. Në fakt Blinken sa i përket marrëveshjes dëshiron që fokusi në fillim të jetë te zgjidhja e çështjes së energjisë elektrike në veri të Kosovës dhe ajo e të pagjeturve. Por kam përshtypjen se këto dy çështje ai i përcakton si taktikë e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë. Mendoj se Blinken ka rezerva ndaj qasjes që zoti Kurti i bën dialogut me Serbinë. Ndoshta ankesat e Beogradit për Kurtin si “pengesë e përparimit në dialog” kanë bërë vend. Por ndërkohë që këto ankesa do të jenë përsërit edhe nga Borrell, Lajçak e ndonjë tjetër në Bruksel. Ai nuk e thotë direkt këtë vërejtje, megjithatë në letër ndjehet një lloj rezerve dhe kritike diplomatike që ai bën”, vlerëson profesor Bytyҫi.
Sipas tij, pikërisht kjo gjë i ka dhënë shans opozitës që ta përshëndesë letrën e Sekretarit të Shtetit Amerikan dhe ta mbështesë atë.
“Mesa duket partitë opozitare e shohin këtë letër si “tërheqje vëmendjeje” për kryeministrin dhe kjo i bën euforikë. Në fakt zoti Blinken vlerëson shumë principin e zotit Kurti për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës. Megjithatë opozita është e prirur të anojë nga kritikat e rezervuara, të menduara e të pathëna”, tha ai.
Ai potencon se Albin Kurti dhe presidentja Osmani e dinë që dialogu me Serbinë nuk ka alternativë. Ndërkaq nga letra rezulton se zgjidhja do të kërkohet te respektimi i minoritetit serb në Kosovë.
“Në këtë aspekt propaganda serbe është aktive, ofensive. Përvoja e Beogradit në këto akuza kundër shqiptarëve dhe popujve tjerë është e vjetër. Imagjinoni rastin e Martinovç të vitit 1986, të cilin serbët, përfshirë akademinë e shkencave, e martirizuan si viktimë të shqiptarëve pse ai u vetplagos. Apo rastin Panda në Pejë në vitin 1998. Gjithçka për të akuzuar shqiptarët! Megjithatë duket se në çështjen e respektimit të të drejtave të serbëve në Kosovë, problemi i kishave dhe manastireve do të diktohet edhe nga administrata Biden, si obligim i Kosovës për marrëveshje të veçantë. Nuk e di se si do të jetë projekti. Por edhe në këtë rast duhet evituar krijimi i enklavave serbe me fuqi vendimmarrëse dhe imponuese mbi shtetin e Kosovës”, thekson profesori Enver Bytyҫi për ‘Bota sot’.