Misioni do të zgjasë gjashtë muaj, njoftoi agjencia kineze e hapësirës, transmeton Kosova Post.
Anija kozmike Shenzhou 13 e Kinës u lidh me modulin kryesor të stacionit hapësinor Tiangong, duke shënuar fillimin e një qëndrimi gjashtëmujor në orbitë për ekuipazhin prej tre vetave, njoftoi sot Agjencia Kineze e Hapësirës (CMSA), shkruan AA.
Shenzhou 13 u ankorua të shtunën, rreth 6,5 orë pas ngritjes nga Qendra e Lançimit të Satelitëve Jiuquan në Shkretëtirën Gobi në Kinën veriore, sipas një deklarate të agjencisë.
Ekuipazhi prej tre personash përbëhet nga Wang Yaping, 41-vjeçe, astronautja e parë femër kineze që hipi në stacionin hapësinor, Zhai Zhigang, 55 vjeç, dhe Ye Guangfu, 41, thuhet më tej.
Përveç kryerjes së eksperimenteve të ndryshme të mjekësisë dhe fizikës hapësinore, gjatë qëndrimit të tyre, astronautët pritet të bëjnë dy deri në tre shëtitje në hapësirë dhe të instalojnë një krah të ri robotik për të ndihmuar në operacionet e ardhshme të ndërtimit në stacionin hapësinor Tiangong.
Chenzhou 13 do të jetë misioni i fundit i madh i agjencisë hapësinore këtë vit. Gjashtë misione, dy me ekuipazh, janë planifikuar vitin e ardhshëm për të përfunduar ndërtimin e stacionit hapësinor dhe për të ofruar modulet e laboratorit Wentian dhe Mengtian.
Ekuipazhi i Shenzhou 15 do të kryejë një rrotullim në orbitë me ekuipazhin e Shenzhou 14, që do të thotë se stacioni hapësinor do të bëhet shtëpia e gjashtë astronautëve për herë të parë.
Kur të përfundojë, Tiangong do të jetë rreth një e katërta e madhësisë së Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, i cili u ndërtua nga një koalicion i 16 vendeve.
Stacioni hapësinor kinez ka të ngjarë të jetë i vetmi në orbitën pranë Tokës deri në fund të dekadës sepse Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar i vjetruar, veçanërisht moduli i shërbimit rus Zvezda, po i afrohet fundit të jetëgjatësisë.