Këshilli i Lartë i Kishave Katolike në Tokën e Shenjtë ka akuzuar kolonët ekstremistë hebrenj se i kanë vënë zjarrin një manastiri në Kuds, transmeton Kosova Post.
Akuza erdhi menjëherë pasi mbrëmë një zjarr kaploi hyrjen e Kishës Ortodokse Greke në Kuds.
Manastiri ndodhet afër një vendbanimi izraelit në Kuds.
“Me ndihmën e Zotit, prifti vendas arriti të shuajë zjarrin”, thuhet në një deklaratë të këshillit.
Sipas këshillit, ky ishte incidenti i katërt brenda një muaji ku shënjestrohet i njëjti manastir duke tentuar t’i vihet flaka.
“Kolonët hebrenj ekstremistë konsiderohen të dyshuar të mundshëm”, thuhet në deklaratë.
“Ne, Kishat Katolike, bashkohemi me Kishat Ortodokse dhe të gjitha kishat e tjera në Kuds duke dënuar fuqishëm akte të tilla sabotimi që jo vetëm dëmtojnë jetën e të krishterëve, por gjithashtu dëmtojnë shumë prej atyre që ende besojnë në dialog dhe respekt të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.
Më tej, këshilli u bëri thirrje autoriteteve izraelite që të hetojnë sulmet e zjarrvënësve dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë.
Gjatë viteve të kaluara, kolonët hebrenj kanë kryer disa sulme të këtilla në lokacionet islame dhe të krishtera në Bregun Perëndimor të okupuar dhe në Kuds.
Sulmet ose vandalizmi i këtillë është një strategji e përdorur nga kolonët ekstremistë hebrenj për të shënjestruar palestinezët dhe pronat e tyre si hakmarrje për kërcënimet e perceptuara ndaj aktiviteteve të kolonive izraelite.(AA)