Abdullah Klinaku, analist politik, ka reaguar ndaj sulmit të besimtarëve myslimanë në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë, ku mbeten të lënduar nga therrja me thikë pesë besimtarë, përcjell Kosova Post.
Klinaku, ka vlerësuar se ky sulm ka ardhur si rezultat i diskursit të vazhdueshëm islamofobik dhe urrejtës ndaj myslimanëve që promovohet në debatin publik.
Ai ka shkruar në rrjetine tij social se:
“Urrejtja patologjike ndaj Islamit rezultoi me terrorizim të myslimanëve!
Islamofobia e nxitur për vite dhe e shoqëruar me qëndrime anti islame vazhdimisht, sot e dha rezultatin e vet me sulmin terrorizues ndaj myslimanëve në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë!
Ky diskurs publik, kundër xhamisë, hoxhës, myslimanëve, historisë, shteteve islame, shenjave islame, shamisë, Pejgamberit a.s e Islamit, i promovuar e kultivuar me vite rrezikon harmoninë dhe paqen midis grupeve fetare e sociale te shqiptarët.
Në xhami e në muajin e Paqes, të therren me thikë besimtarët, nuk është vetëm sulm, por, është terrorizim i nxitur për disa vite.
Zoti i shëroftë të plagosurit me shërim të plotë, si dhe i ruajtë e i forcoftë vëllezërit xhematli te Xhamia “Dine Hoxha” dhe imamin e dashur për mbarë shqiptarët Dr. Ahmed Kalaja.
Për neve, institucionet e qeveritë është obligim nxjerrja e ligjit kundër Islamofobisë.
Ndërsa besimtarët myslimanë e dinë se Paqja është udha jonë e durimi është fitore”.