Ura që simbolizon pikën më të nxehtë në vend, me më shumë se 1 mijë incidente mbi supet e saj që nga paslufta, sot ka ndryshuar krejtësisht pamjen, duke bashkuar të rinjtë e të gjitha komuniteteve të Mitrovicës dhe më gjerë, të cilët së bashku shijuan kafenë, muzikën dhe bisedat e këndshme.
Kjo falë festivalit ‘Mitrovica Coffe Fest 2022’ i cili nën slloganin ‘Kojshi hajde n’kafe’, u organizua nga organizata joqeveritare ‘Community Building Mitrovica’ (CBM), në kuadër të aktiviteteve për pajtim dhe transformim të konfliktit.
Përveç të rinjve dhe qytetarëve të moshave e gjinive të ndryshme, në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale nga jugu e veriu i qytetit, si dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme në Kosovë.
Afërdita Shehu, drejtoreshë e organizatës CBM, bëri të ditur se qëllimi i këtij festivali është që të rinjtë, por edhe qytetarët e tjerë pa dallim, të pinë kafe së bashku dhe t’i harrojnë brengat e përditshme, për të cilat tha se Mitrovica i ka të shumta.
“Qëllimi i festivalit është që sot të pimë kafe të gjithë së bashku pa dallim etnie, race, gjinie, dhe ti harrojmë brengat e përditshme që Mitrovica i ka të shumta…Vendin ku jemi e kemi zgjedhur me qëllim që të tregojmë se urat nuk janë që na ndajnë por na bashkojnë”, tha drejtoresha Shehu.
Edhe Edi Lahi, nga jugu i qytetit të Mitrovicës, e vlerësoi ngjarjen si shumë të nevojshme, sidomos tani, kur siç tha ai, situata politike nuk është e mirë.
“E vlerësoj këtë ngjarje si shumë të nevojshme sidomos tash kur situata politike nuk është edhe aq e mirë. Është një mundësi shumë e mirë që ne komunitetet e ndryshme të socializohemi mes vete dhe të kalojmë kohë bashkë”, tha ai.