Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale.
“Komandant Ujku”, pasi u pyet nga gjykatësi Nicolas Guillou nëse i ka kuptuar akuzat të cilat i ngarkohen, tha: “Po i nderuar, i kuptova. Qesharake më duken”. Express
Atij paraprakisht iu lexuan të drejtat, ndërsa kur është pyetur nëse i kuptoi ato, Shala ka folur për arrestimin e tij.
“Nuk ka pasur nevojë të bëhet arrestimi e kyfarë filmi. Vetëm një ftesë dhe unë vij paraqitem vetë”, ka thënë ai, duke treguar se kjo nuk është vizita e tij e parë në atë objekt.
Më pas, ai është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat.
“Unë nuk e ndiej veten se kam bërë ndonjë krim, përceçse kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim dhe ndihem i pafajshëm”, tha Shala.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.
Ndaj Shalë është konfirmuar një aktakuzë. Ai akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet ai pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që thuhet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.