Komandanti i ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se një pushtim rus i Ukrainës do të ishte “diçka e tmerrshme” dhe mund të rezultojë në një numër të konsiderueshëm viktimash, përcjell KosovaPost.
Ai tha se pozicionimi i 100,000 ushtarëve rusë pranë kufirit me Ukrainën është grumbullimi më i madh i tillë që nga Lufta e Ftohtë. Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se konflikti mund të shmanget ende përmes një qasjeje diplomatike.
Në konferencën e djeshme për shtyp në Pentagon, gjenerali Milley paralajmëroi se shkalla e forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën do të thotë se sulmi do të ketë pasoja të rënda.
“Nëse pushtimi i Ukrainës do të fillonte, do të ishte një lëvizje shumë domethënëse dhe do të kishte një numër të madh viktimash. Konfliktet në zonat e dendura urbane do të ishin diçka e tmerrshme, ato do të ishin të tmerrshme”, tha Milley.
Konflikti mund të shmanget
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se SHBA-të synojnë t’i ofrojnë ndihmë Ukrainës, duke përfshirë dërgimin e më shumë armëve, raporton BBC.
“Konflikti ende mund të shmanget. Ka ende kohë dhe hapësirë për diplomaci”, tha Austin, duke i kërkuar presidentit rus Vladimir Putin që të qetësojë situatën. “Nuk ka asnjë arsye që kjo situatë të përshkallëzohet në një konflikt. Ai mund të urdhërojë tërheqjen e trupave të tij”, shtoi ai.
Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se do të dërgonte një numër më të vogël trupash në Evropën Lindore për të forcuar praninë e NATO-s në rajon. Ai nuk specifikoi se ku do të ndodheshin dhe kur do të mbërrinin në destinacionin e tyre.
Në fillim të kësaj jave, Pentagoni tha se 8,500 trupa ishin vënë në gatishmëri të plotë dhe ishin gati për t’u vendosur në afat të shkurtër.
Shtetet e Bashkuara nuk ranë dakord me kërkesën kryesore të Rusisë që NATO të mos pranonte hyrjen e Ukrainës në atë aleancë ushtarake. Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin për injorimin e kërkesave ruse të sigurisë.