Koment – 15 Korriku: Tentativa gjakatare e robotëve xhelatë

Koment – 15 Korriku: Tentativa gjakatare e robotëve xhelatë

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Kush nuk jeton në Turqi mund të kenë parë vetëm nëpër filma kërcënimin që përbëjnë për njerëzimin robotët e dalë jashtë kontrollit, njerëzit e robotizuar përmes viruseve speciale apo tarikatet e zvetënuara që i ngarkojnë vetes misione të veçanta, si dhe luftën heroike që bëhet për të shpëtuar botën nga këto rreziqe.

Më 15 Korrik 2016, Turqia kaloi me plot kuptimin e fjalës një eksperiencë të tillë. U ballafaqua me tentativën për puç ushtarak të anëtarëve të një bashkësie fetare të shtrembër, e cila ishte infiltruar në aparatet shtetërore, ishte quajtur FETO dhe sikurse nëpër filma, kishte fytyrën e një foshnje në kohë normale, por transformohej në përbindësh kur i jepej virusi apo urdhri.

Çfarë ndodhi atë natë?

Anëtarët e FETO-s, infiltruar në institucionet më të rëndësishme të shtetit dhe sidomos në Forcat e Armatosura të Turqisë, me urdhër të liderit fetar heretik, Fetullah Gylen, rezident në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tentuan të bëjnë grusht shteti ushtarak më datë 15 Korrik 2016. Ata morën kontrollin e disa institucioneve duke u ndihmuar edhe nga të besuarit e infiltruar më parë. Pushtuan disa radio e televizione, me në krye TRT-në dhe CNN Turk-un.

Bombarduan Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë, i cili s’ishte bombarduar as në kohë lufte. Bënë operacion për të kapur presidentin e zgjedhur me vota të lira, transparente dhe demokratike. Me ushtarët e tyre të robotizuar, hapën zjarr mbi miliona njerëz që vërshuan rrugëve anembanë Turqisë për t’i dhënë fund kësaj çmendurie. Me avionë luftarakë, hodhën bomba mbi qytetarët dhe institucionet civile. Njerëzit u vunë gjoksin tankeve, u shtrinë poshtë tyre. Rezultati: Qindra të martirizuar dhe mijëra të plagosur brenda disa orëve.

Leksion demokracie për të gjithë botën

Përpjekja e kombit turk për të shpëtuar demokracinë dhe ardhmërinë e tij, në përgjigje të thirrjes së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, ishte kaq heroike, saqë s’mund të shihet as nëpër filma. Miliona

njerëz vërshuan rrugëve kudo në Turqi. Popullata civile rrethoi institucionet publike e ushtarake dhe nuk u spraps as kur ushtarët e FETO-s hapën zjarr ndaj saj. Atë natë, rrugëve të atdheut tim isha edhe unë. Edhe mua më ranë dëshmorë shokë e miq të mi të ngushtë vetëm që njerëzimi të mos binte rob i mankurtëve (skllav i pavetëdijshëm sipas mitologjisë turke), hashashinëve, frankenshtejnëve apo anëtanëtarëve të një tarikati heretik

Turqia ka pasur eksperienca me grusht shtetet edhe më herët. Por kjo ishte hera e parë që përballej me një tentativë puçiste kaq të përgjakshme, e cila sulmoi direkt popullin. Miliona njerëz me bindje të gjithëllojshme qëndruan nëpër rrugë për javë të tëra kundër tentativës për grusht shteti. Ata u dolën zot vendit, të ardhmes, nderit, demokracisë së tyre dhe njerëzimit.

Edhe pse miliona njerëz fjetën rrugëve për javë me radhë, nuk pati as edhe një rast të vetëm trazire, plaçkitjeje, vjedhjeje apo grindjeje; nuk i bënë dëm as një mize. Njerëzit e zakonshëm, popullata civile në Turqi i treguan praktikisht të gjithë botës “se si parandalohet në mënyrën më demokratike dhe paqësore të mundshme një tentativë për grusht shteti nga më shtazaraket”.

Në vitin 1989, një i ri i nderuar kinez qëndroi përpara tankeve kineze në Sheshin “Tiananmen”. Duke qenë se truri i tyre nuk ishte i telekomanduar, ushtarët kinezë u tërhoqën përballë kësaj sjelljeje plot dinjitet. Këtë veprim heroik e pati parë dhe duartrokitur e gjithë media botërore. Ndërsa në Turqi, anëtarët e FETO-s i nganë tanket mbi njerëzit, sepse ata e kanë humbur njerëzinë e tyre për shkak të besimit të tyre fetar të shpërfytyruar.

Media botërore, nga ana e saj gati sa nuk e pa dhe as e mbuloi qëndresën heroike të një kombi të tërë, jo të një njeriu të vetëm. Edhe pse nuk vlerësohet e përshëndetet mjaftueshëm as nga shoqëria ndërkombëtare, kjo epope, ky nder, kjo qëndresë s’do të harrohet kurrë nga dëshmitarët e saj.

Çfarë është FETO-ja?

Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka kuptuar ende mjaftueshëm se çfarë është FETO-ja. Organizata terroriste gyleniste është një strukturë komplekse, e cila synon të lidhë anëtarët me liderin e saj përmes një besimi mesianik. Lideri konsiderohet si një shpëtimtar i zgjedhur. Besnikët e tij ndihen si të zgjedhur gjithashtu. Në këtë kontekst, ata kanë një besim se “do të shpëtojnë” tërë botën. Ky është qëllimi dhe arsyeja pse ata kanë imamë në të gjitha rajonet, vendet, zonat, qytetet dhe lagjet. Ndërsa lideri i tyre, Fetullah Gylen, pranohet si “imam i universit” dhe shpëtimtar i të gjithë botës e jo i një vendi të vetëm. Për këtë arsye, organizata terroriste FETO është një lëvizje globale.

FETO-ja u imponon anëtarëve të saj një proces edukativ të gjatë dhe të vështirë për t’i bindur ata në lidhje me këtë kult. Në këtë proces, anëtarët e saj izolohen plotësisht nga shoqëria. Krijohet një besim dhe një botë në mjedise speciale dhe me rituale të posaçme, të cilat vetëm ata i besojnë dhe njohin. Përgjatë këtij procesi, anëtarët largohen gradualisht nga familjet e tyre, nga vlerat e kombit pjesë e të cilit janë dhe nga interpretimi i përgjithshëm qindravjeçar i Islamit, fe e paqes dhe prosperitetit. Duke qenë se kjo lëvizje e nisur andej nga fundi i viteve ’70 është pa rrënjë, pa histori, pa traditë dhe pa një perspektivë qytetërimi, anëtarët e saj përvetësojnë në pak kohë një besim heretik të cilit vetëm ata i  binden.

Prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin shkollat ​​eFETO-s, me pak vëmendje më shumë, do të shohin se fëmijët e tyre i largohen vatrës familjare dalëngadalë.

Pasi riformatizohen në një farë mënyre, tashmë anëtarët e FETO-s transformohen në njerëz që mendojnë se kanë një mision special, misterioz dhe të shenjtë. Ata kanë qëllime shumë “të shenjta”. Urdhri më esencial, i cili u jepet atyre për të arritur këto objektiva, është të mos deshifrohen në asnjë mënyrë dhe të kujdesen për t’u maskuar në çdo situatë.

Këtej e tutje, të gjitha metodat janë legjitime për ta që të ruajnë kamuflazhin dhe të arrijnë qëllimet e tyre. Sepse ata kanë një synim “të shenjtë”, të njohur dhe besuar vetëm prej tyre, i cili do të përligjte çdo aksion të mundshëm. Për këtë, ata mund të paraqiten me çdolloj besimi, uniforme, sjelljeje apo ideologjie. Parimi i tyre është të mos duken asnjëherë siç janë, një filozofi diametralisht e kundërt me atë të Mevlana Xhelaludin Rumiut: “Duku ashtu si je ose bëhu ashtu si dukesh!”

Në thelb, ata kurrë nuk janë ashtu si duken, sepse qëllimet e tyre janë të tjera.

Sot e mbyllim me kaq, por do të vazhdojmë javën e ardhshme.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara