Komisioni për Punë të Jashtme dhe Komisioni për Integrim Evropian i Kuvendit të Kosovës, përmes një deklarate të përbashkët, e kanë quajtur të dëmshëm tendencën që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të diskutohet jashtë vendimit të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku është konkluduar se Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret për heqjen e regjimit të vizave, përcjell KosovaPost.
“Më datë 27 qershor 2022 është mbajtur mbledhja e komisioneve ndërparlamentare “Politika e Zgjerimit të BE-së, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia”, e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, në bashkëpunim me Njësinë e Dialogut Legjislativ të Drejtorisë për Marrëdhëniet me Parlamentet Kombëtare, ku përveç deputetëve të PE-së, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate dhe atyre të kandidatëve potencialë”.
Në këtë mbledhje, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi, në fjalën e tij deklaroi që Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje, ku pos tjerash citoi: “Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”
“Shfrytëzojmë nga rasti që të paraqesim nevojën urgjente që të bëhet heqja e regjimit të vizave pa vonesë dhe që jemi të gatshëm të adresojmë çfarëdo pyetje që mund të ngritet drejt realizimit të shpejtë dhe urgjent të rekomandimit të KE-së të vitit 2018 për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si evropianët e vetëm që nuk e gëzojnë këtë të drejtë”, thuhet në komunikatë.