Komuna e Prishtinës ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit se e ka dëmtuar hapësirën përreth Teatrit Kombëtar. Sipas komunës, ministria pa lejen e saj dhe pa njoftim i ka prerë pishat shumëvjeçare që ishin aty.
“Komuna e Prishtinës dënon ashpër aktin e papranueshëm dhe të dëmshëm nga Ministria e Kulturës. Pishat shumëvjeçare, të cilat ishin një element i rëndësishëm i hapësirës përreth Teatrit Kombëtar, janë shkatërruar pa lejen e Komunës dhe pa njoftuar asnjë autoritet përgjegjës”, në reagimin e komunës.
Në reagim theksohet se ministria nuk ka marrë as ekspertizë dhe se asaj i duhet të mbajë përgjegjësi e të kompensojë dëmet.
“Për më tepër, Ministria e Kulturës ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme, pa marrë asnjë ekspertizë paraprake ose analizë të ndikimit mjedisor përpara fillimit të punimeve. Ministria e Kulturës duhet të mbajë përgjegjësi dhe të marrë masa për të ndaluar veprime të tilla dhe për të kompensuar dëmet që janë shkaktuar” thuhet në reagim.