Kryeministri i vendit, Albin Kurti konfirmoi se të enjten do të mbahet ceremonia e betimit të tre kryetarëve komunalë në veri, atij në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se procesi i betimit të kryetarëve në veri të vendit është normal pas mbajtjes së zgjedhjeve, gjersa tha shantazhet dhe linçimet që ka bërë Beogradi zyrtarë ndaj qytetarëve serbë në Kosovë nuk janë normale.
“Dje u bë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në komuna veriore në veri, atë të Mitrovicës së veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Nuk pati asnjë incident, ishin të qeta dhe paqësore. Trysnia, linçimet dhe shantazhi nga Beogradi zyrtarë ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tanë në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
“…Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë e jo shprehje e vullnetit politik. Fushata të tilla kërcënuese të Beogradit zyrtarë ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komuna në veri janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme..”, tha ai.
Kurti konfirmoi se të enjten do të mbahet betimi i tri kryetarëve të rinj në tri komunat veriore.
“Të premten e kaluar kryetari i zgjedhur në Komunë të Mitrovicës, Erden Atiq bëri betimin e tij, dhe kjo është normale dhe nënkryetare u emërua Katarina Axhaniq që vjen nga radhët e komunitetit serb dhe kjo është normale. Dje u emëruan katër drejtorë, një serb, një boshnjak një egjiptian dhe një shqiptarë e prej tyre dy gra, e kjo është progres që duhet normalizuar.
Nesër në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tri kryetareve në ndërtesa publike. Kanë kaluar mbi 6 muaj që këto komuna mbetën pa kryetar e qytetarët pa shërbime e kjo nuk është normale”, ka thënë Kurti.