Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në varrezat e martirëve të familjes Deliu në fshatin Abri e Epërme, të cilët para 23 vitesh u vranë dhe u masakruan barbarisht nga forcat serbe, përcjell KosovaPost.
“Masakra e Abrisë së Epërme dhe të gjitha masakrat e tjera mbi shqiptarët, janë argumenti më i fuqishëm se Serbia s’ka për shkelur kurrë më në trojet tona” ka shkruar kryeparlamentari në facebook.
Postimi i plotë:
Këtu e 23 vite më parë bota u njoh me aktin mizor të gjenocidit serb mbi popullin shqiptar të Kosovës. Në Abri të Epërme fëmijë gjashtëmuajsh deri në pleq 94 vjeç, u bënë objekt i barbarisë së orkestuar, organizuar dhe ekzekutuar nga kupola shtetërore e Serbisë dhe makineria vrastare e saj.
Ishte ky një nga krimet më të pashembullta të kohës, që e tronditi thellë ndërgjegjen e mbarë botës së lirë e demokratike. Një akt barbar i politikës shfarorëse të Serbisë mbi popullin tonë.
Masakra e Abrisë së Epërme dhe të gjitha masakrat e tjera mbi shqiptarët, janë argumenti më i fuqishëm se Serbia s’ka për shkelur kurrë më në trojet tona.
Lavdi të gjithë të rënve të masakrës së Abrisë së Epërme!
Lavdi të gjithë të rënve për lirinë e Kosovës!