Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe tek varri i Adem Demaçit në gjashtëvjetorin e vdekjes së tij.
Ai vendosi një tufë me lule të bardha mbi varrin e tij, raporton Klankosova.tv.
Konjufca tha se Demaçin do ta nderojnë dhe kujtojnë sepse trashëgimia që ai e ka lënë është shumë e madhe, dhe veprimtaria e tij politike dhe intelektuale është shtrirë më shumë se në gjashtë dekada.
“Ai edhe në burg ka qenë i pathyeshëm, dhe ka bërë qëndresë të madhe, nga aty ka frymëzuar breza të tërë që të vazhdojnë luftën për liri, dhe të mos thyhen para pushtuesit serb”.
“Jo vetëm që ka dhënë shembullin e guximit, por ka dhënë edhe një orientim për popullin tonë, dhe ka shkruar shumë libra, ka qenë shkrimtar i jashtëzakonshëm, dhe veprimtaria e tij politike na frymëzon edhe neve që jemi përgjegjës në institucione publike”.
Krykuvendari, thotë se veprat e Demaçit si shkrimtar duhet të vlerësohen më shumë.
“Vepra e tij si shkrimtar duhet të studiohet më shumë prej studiues-kërkuesve prej akademisë dhe universitetit, dhe prej qarqeve të cilat e bëjnë shkencën. Mendoj se është njëra nga figurat më të rëndësishme që lidh shekullin 20 dhe shekullin të cilin po jetojmë sot”.