Një vendim i ri nga Ministria e Arsimit, përkatësisht Inspektoriati i Arsimit në Kosovë, u është dorëzuar institucioneve komunale në Rahovec, transmeton Kosova Post.
Sipas këtij dokumenti, Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, detyrohet të ndërmarr masa disiplinore ndaj drejtorit të tij.
“…sipas legjislacionit në fuqi, të iniciojë masat disiplinore ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, për shkeljet e konstatuara sipas Procesverbalit ref.10, nr.696, dt.11.08.2021 dhe Procesverbalin ref.10, nr. 1013, dt.20.10.2021…”
Nuk e respektoi Udhëzimin Administrativ, angazhoi mësimdhënës të pakualifikuar, shpërfilli vendimet e MAShT-it…
Ky vendim ka ardhur si rrjedhojë e veprimeve, përkatësisht mos-veprimeve të Avni Morinës, drejtor i DKA –së në Rahovec.
Shpërfillja e një vargu vendimesh, angazhimi i mësimdhënësve të pakualifikuar në disa shkolla në Rahovec, mos-respektimi i vendimeve të MAShT-it për sa u përket regjistrimit të nxënësve në profilet profesionale etj, e përbënë bazën e arsyetimit të vendimit.
Siç kemi raportuar edhe më parë, Kryetari Latifi ka hezituar t’i jetësojë vendimet e mëhershme të lëshuara nga inspektoriati dhe nuk u është përgjigjur telefonatave të gazetarit të Kosova Post. Në anën tjetër drejtori Morina, vendimet e mëhershme i pat cilësuar si “skandaloze.”
Për sa i përket vendimit të fundit, ndonëse pala e pakënaqur ka mundësi të parashtrojë ankesë (në afat prej 30 ditësh), në Komisionin për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në shkallën e dytë, kjo nuk e shtynë ekzekutimin e vendimit./KosovaPost/