Koreja e Veriut i ka lëshuar tre raketa balistike herët në mëngjesin e së mërkurës, tha ushtria e Koresë së Jugut.
Autoritetet në Seul thanë se raketat u hodhën në hapësirën prej më pak se një ore nga zona Sunan në Phenian.
Kjo vjen vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden u largua nga rajoni, pas një udhëtimi që e pati në atë pjesë si dhe u zotua për të forcuar masat e frenimit për Korenë e Veriut.
Koreja e Veriut ka testuar një sërë raketash balistike që nga fillimi i këtij viti. Po ashtu edhe Japonia e konfirmoi se të paktën mund të jenë lëshuar dy raketa, por e pranoi se mund të ketë pasur më shumë.
Në një takim të thirrur pas lëshimit të raketës, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Koresë së Jugut e quajti testin një “provokim të rëndë”.
Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kishin paralajmëruar më herët se Koreja e Veriut dukej gati për një tjetër provë armësh, ndoshta gjatë vizitës së Biden.
Gjatë vizitës së tij në Seul gjatë fundjavës, Biden dhe homologu i tij koreano-jugor, Yoon Suk-yeol, ranë dakord të zhvillojnë stërvitje më të mëdha ushtarake dhe të vendosin më shumë asete strategjike të SHBA-së nëse është e nevojshme për të penguar intensifikimin e testeve të armëve të Koresë së Veriut, shkruan BBC, transmeton KlanKosova.tv.