Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje ndërshtetërore në fushën e mbrojtjes, përkatësisht për furnizim me artikuj dhe produkte për shërbime të mbrojtjes, përcjell KosovaPost.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ministri kosovar, Armend Mehaj, e nënshkroi këtë marrëveshje me udhëheqësin e Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir.
“Kjo marrëveshje ka rol të jashtëzakonshëm në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
“Sot kam vizituar Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë, në takim u prita nga Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar. Në takim biseduam lidhur me bashkëpunimin e mirë të deritanishëm në mes të dy ministrive, theksuam nevojën për intensifikim të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy ministrive të mbrojtjes dhe të dy forcave tona, që është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkruan Mehaj në Facebook.