Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, bashkë me Ministrin për Bashkëpunim Regjional nga Izraeli, z. Esawi Freji dhe me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, z. Elbert Krasniqi, vizituan sot Shërbimin Spitalor të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë, transmeton Kosova Post.
Përpos Ministrit të Izraelit, z. Freji, që është vizita e parë e një ministri izraelit në Kosovë, pjesë e delegacionit ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart” dhe mjekë të tjerë nga Izraeli.
Në këtë takim, ministri Latifi e informoi ministrin e Izraelit, z. Freji, për sistemin shëndetësor të Kosovës, në theks të veçantë për shërbimet në Klinikën e Pediatrisë(QKUK).
Ministri Latifi u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e Izraelit, pasi që të dy vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore, ndërsa veçoi mbështetjen e Izraelit për shërimin e fëmijëve kosovarë.
Deri më tani, janë 6 fëmijë nga Kosova të cilët janë kuruar në Izrael, dhe për këtë ministri Latifi, u shpreh se është mirënjohës për një kontribut të tillë.
Njëherësh, ministri Latifi e falënderoj shtetin e Izraelit për kontributin e dhënë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, duke thënë se pret që në të ardhmen ky bashkëpunim të intensifikohet në kuptim të shkëmbimit të përvojave të mjekëve dhe infermierëve dhe avancimit të shkathtësive të tyre klinike.
Ministri për Bashkëpunim Regjional i Izraelit, z. Esawi Freji, për të cilin kjo është vizita e tij e parë në Kosovë, tha se Qeveria e Izraelit, e ka në prioritet bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës, duke i vlerësuar si të rëndësishme raportet miqësore dhe bashkëpunimin korrekt në mes Kosovës dhe Izraelit, sidomos për shërimin e fëmijëve nga sëmundje që nuk mund të trajtohen plotësisht në Kosovë.
Ministri Freji, tha po ashtu, se është shumë më rëndësi, që ministri Latifi, vjen nga profesioni mjekësor dhe gëzon një përvojë ndërkombëtare në shëndetësi, prandaj, theksoi ai, “jemi të gatshëm si kurdo herë që të kontribuojmë në përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës shëndetësore, por edhe më përgatitjen e kuadrove shëndetësore kosovare”.
Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart”, i cili deklaroi se fëmijë të tjera nga Kosova do të shërohen në Izrael, për probleme të ndryshme shëndetësore.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, z. Elbert Krasniqi, falënderoj Qeverinë dhe shtetin e Izraelit për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e dhënë për Kosovën.
Ndërkaq, drejtori i SHSKUK-së. Dr.Valbon Krasniqi, shprehu konsideratën e tij për delegacionin nga Izraeli, duke shpresuar në bashkëpunim dhe në mbështetje të vazhdueshme.