Kosova ka nevojë për udhëheqës dinjitozë

Kosova ka nevojë për udhëheqës dinjitozë

Shkruan: Hafiz Gagica

Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, po vazhdojnë me cirkun e llojit poshtërues-denigrues, të pa parë dekadat e fundit në parlamentet dhe institucionet evropiane, atje sikur rrejshëm po pretendohet me u integrue si shtet dhe si shoqëri!

Koha e kyqjes aktive së atyre që në radhë të pare e kanë interesin e shtet ndërtimit të Kosovës, duke e vënë potencialin e tyre intelektual dhe patriotik në shërbim të zhvillimit të atdheut dhe shoqërisë tonë, e cila për shkaqe tashmë të njohura, siç është korrupsioni, krimi i organizuar, shkatërrimi i resurseve nacionale, etj., ka ngelur ndër vendet më të pazhvilluar në Evropë.

Shumica e qytetarëve të Kosovës është kundër kësaj klime defetiste e krijuar në vendin tonë nga liderë përfitues dhe inatxhijë, dhe kjo më së miri reflektohet në seancat e Parlamentit të Kosovës, nga ku del vetëm një konstatim; jemi bërë turpi i botës, i asaj bote që na ndihmoi të bëjmë shtet sovran dhe të pavarur.

Me kaq shumë anomali politike si dhe sjellje të papërgjegjshme para popullit dhe atdheut, është e sigurt se kështu nuk mund të ecim më tutje, si shoqëri, ngase Kuvendi është vendi ku duhet të debatohen temat kruciale nacionale, atje ku duhet te debatohet për zhvillimin ekonomik, për politikë dhe gjendje sociale, për dështime dhe suksese , për ligje dhe vendime të Kuvendit, e jo të luhen loja cirku politik në dëm të interesave të shtetit.

Koha po troket në dyert e çdo qytetari me të drejt vote në Kosovë, të vetëdijesohen dhe t’i ndëshkojnë në zgjedhjet e ardhshme gjithë ata politikanë të cilët po tallen me votën e tyre, po tallen me perspektivën e brezit të ri. Të ndëshkohen për mos punë dhe sjellje të pa dinjitet ndaj popullit dhe elektoratit që Kosovën po e mbajnë të izoluar, të pazhvilluar, të varfër, ku çdo ditë shkelet kushtetuta dhe ligjet, pikërisht nga ata të cilët e kanë obligim zyrtar dhe moral që t’i mbrojnë ato!

Është vetëm iluzion të presim nga kjo klasë politike për integrim të shpejt të vendit tonë në Bashkimin Evropian, prandaj, duhet t’iu thuhet mjaft ma me cirkun politik, duhet të zhvillohemi si vend dhe si shoqëri normale, ashtu siç e duan dhe e meritojnë qytetarët e Kosovës, një vend të zhvilluar dhe demokratik, të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë, të lëvizin lirshëm dhe dinjitetshëm kudo në Evropë dhe botë!