Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për turizëm. Kështu konsideron Shoqata e Turizmit si dhe ajo e Unionit të Turizmit në Kosovë. Sipas tyre, në zonat malore, turizmi do të ishte edhe më shumë i zhvilluar nëse do të kishte infrastrukturë më të mirë, energji elektrike, e përveç këtyre, do të duhej të kishte edhe paketë turistike që do t’i tërhiqte vizitorët.
Kosovës i mungon oferta turistike, hotelet janë jashtëzakonisht të shtrenjta. Pra krahasim me vendet e rajonit është më e shtrenjta për akomodim e në të njëjtën kohë e kemi problem shumë të madh sidomos në zonat malore infrastrukturën e dobët. Pa energji elektrike, pa infrastrukturë ligjore dhe zona të caktuar turistike është problem për të tërhequr turistë, shto këtu mungesën e ofertës turistike që ne nuk e kemi ende”, tha ai.
Kurtishaj tha se turistëve që dëshirojnë ta vizitojnë Kosovën u sugjerojnë të shkojnë në zonat në Pejë, Grykë të Rugovës, Bogë, pastaj në malet e Sharrit, duke përfshirë Brodin, Prevallën e të tjera. Ai tha se në Prizren të gjithë turistët ndahen të kënaqur. Gjithashtu Kurtishaj shtoi se turistëve iu preferojnë të vizitojnë edhe vendet me histori.
Kosova është dëshmuar botërisht që ka një tolerancë fetare, pra kemi trashëgiminë fetare edhe kemi trashëgiminë kulturore në qytetin e bukur të Prizrenit, ku të gjithë turistët vendorë e të huaj ndahen jashtëzakonisht të kënaqur. Gjithashtu ne, si agjenci turistike, preferojmë shumë të vizitohet edhe vendi i shenjtë pra Kullat e Jasharajve në Prekaz, gjithashtu Gllogjanin më një histori dhe vendet e tjera që kemi me kala të ndryshme qoftë Artana, Kalaja e Prizrenit që ka pamje jashtëzakonisht të bukur”, tha Kurtishaj.