Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë nënshkruar marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë eurove për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta me Bashkimin Evropian (BE) dhe Qeveria Gjermane, transmeton Kosova Post.
Qeveria e Kosovës njofton se të dyja projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.
Sipas Qeverisë, projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.
“Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”, thuhet në njoftim.
Sa i përket projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, ai do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.
“Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe Komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde, u shpreh se “Këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe BE-së në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.
Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Staebek Madsen, tha se përmes këtyre marrëveshjeve “BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës. Ai tha se marrëveshjet e nënshkruara mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”./aa