Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë sot se dhuna në veri mund të ishte shmangur, gjersa i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për de-përshkallëzimin e situatës.
“Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm pas misionit të NATO-s KFOR dhe misionit të BE-së EULEX në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse.
Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të de-përshkallëzuar, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht”, thuhet në deklaratën e tij.
“Presim që Kosova të mos përshkallëzojë situatën dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte tjera…
Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.
Borrell po ashtu ka shprehur shqetësimin për ngritjen e nivelit të gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe.
Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në fund të deklaratës. /Telegrafi/