Dhjetëra infermierë kanë protestuar para Klinikës së Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, me kërkesë për mbështetje më të madhe financiare nga ana e qeverisë, transmeton Kosova Post.
Kryeinfermieri dhe organizatori i protestës Enlirat Duraku i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia që të mos injorohen kërkesat e infermierëve “të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre çdo ditë” në përballje me COVID-19.
Ai tha se 1 milion e 700 mijë euro është shuma e cila kërkojnë si mbështetje për të gjithë infermierët në Kosovë.
“Protesta e sotme është thirrur për ngritje të pagesës së ndërrimeve të natës, nga 18 euro në 36 euro, pagën e punës gjatë vikendeve dhe orët shtesë sikurse u paguhen edhe mjekëve, si dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë”, theksoi Duraku, i cili po ashtu, me të njëjtat kërkesa është në grevë urie tash e tre ditë.
Duke marrë parasysh gjendjen epidemiologjike në vend e cila po ashtu ka prekur edhe ekonominë kosovare, pjesëtarë të qeverisë javën e kaluar kërkuan mirëkuptim nga të gjithë sektorët. Por, sipas Durakut, qeveria nuk i ka ndarë drejtë ndihmat financiare.
“Nuk mund ta justifikojmë qeverinë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm. Përderisa kuvendi ka mundësi të ndajë buxhet prej 200 mijë eurove për kafe, e po kështu derisa qeveria ka buxhet ta paguajë energjinë elektrike të minoriteteve, duhet të ketë buxhet edhe për komunitetin më vital, shtyllën e shëndetësisë në Kosovë”, theksoi Duraku.
Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ndau rreth 20 milionë euro ndihmë financiare për sektorë të ndryshëm të cilët janë dëmtuar nga efektet e mbylljes për shkak të pandemisë COVID-19 si dhe kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij virusi me punën e tyre.
8,5 milionë euro janë ndarë për shtesa për 30 për qind për skemat sociale. Mbi 5 milionë u ndanë për sektorin e shëndetësisë, ndërsa 6 milionë euro për gastronominë dhe bizneset e tjera të cilat kanë pësuar humbje gjatë periudhës nga 7 deri më 19 prill si pasojë e masave të marra nga qeveria që kanë ndaluar apo pezulluar punën e tyre. (AA)