Në fshatrat Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës është përuruar parku i erës “Selac Windpark”, projekt gjermano-izraelit me vlerë prej 169 milionë euro, transmeton KosovaPost.
Në inaugurimin e këtij projekti i cili është investimi më i madh i huaj që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjete sociale tha se prodhimi i energjisë nga ky park me erë, me 27 turbina, do të mbulojë 10 për qind të kapacitetit të instaluar të energjisë në Kosovë dhe do të ulë emetimet e dioksidit të karbonit për 247 mijë tonë.
“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të ripërtërishme”, theksoi Kurti duke shtuar se agjenda e gjelbër është një nga prioritetet e qeverisë, para se gjithash për uljen graduale të përdorimit të qymyrit.
Gjatë inaugurimit ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock deklaroi se parku i erës “Selac Windpark” është një hap qenësor në rrugën e Kosovës drejt tranzicionit të gjelbër.
Ajo tha se gjithandej Ballkanit Perëndimor ekziston një potencial i madh, akoma i pashfrytëzuar për energji solare dhe me erë.
“Gjermania përmes politikës së saj të re të jashtme për çështje klimatike, është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën në këtë fushë thelbësore: për të përmbushur objektivat e Evropës dhe botës për sa i përket klimës dhe për të ndihmuar në ruajtjen e planetit. Për të furnizuar qëndrueshëm qytetarët me energji dhe rrymë dhe për të përmirësuar sigurinë tone energjetike”, theksoi Baerbock.
Parku i erës është në pronësi dërmuese të kompanisë izraelite “Enlight” me bashkë-investues nga Gjermania dhe Kosova. Kreditë janë ofruar nga Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Erste Bank (Austri) dhe NLB Bank (Slloveni).
Parku i erës që operon në një lartësi prej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, përbëhet nga 27 turbina, secila me një kapacitet prej 3,83 megavatë. Kjo e bën parkun prodhuesin më të madh të energjisë ripërtëritëse në Kosovë.
Energjia me erë i shitet operatorit shtetëror të Kosovës KOSTT me një çmim prej 85 euro për megavat për një periudhë 12-vjeçare, çmim ky i vendosur fiks, me ligj.
Parku i erës do të prodhojë 103 megavatë energji për rreth 70 mijë amvisëri kosovare. Turbinat e para kanë filluar prodhimin e energjisë që në tetor të vitit 2021./AA