Grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit në Kosovë, “Koalicioni 27”, ka publikuar raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”, transmeton Kosova Post.
Këto organizata unanimisht kanë thënë se është koha që tani të veprohet në të mirë të përmirësimit të mjedisit në vend, ashtu siç edhe kërkohet nga Bashkimi Evropian (BE).
Në raportin e publikuar, të cilin para përfaqësuesve të shoqërisë civile e ka prezantuar Krenare Salihu nga “Koalicioni 27” paraqiti gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e BE-së në kapitullin “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.
Raporti, i cili është i pari i këtij lloji i përgatitur në Kosovë, mbulojnë pesë tematika kryesore: ndotjen e ujit, ndotjen e ajrit, mbrojtjen e natyrës, mbrojtjen e pyjeve dhe ndryshimet klimatike.
Salihu tha se gjetjet e këtij raporti tregojnë se ka shumë sfida dhe ngecje serioze në secilën fushë të lartcekur. Ajo theksoi se në Kosovën e pasluftës ka pasur shumë probleme, kështu që mbrojtja e ambientit jetësor ka qenë në plan të dytë, por se ka ardhur koha për të vepruar.
“Në Kosovë lumenjtë janë ende të ndotur sepse mbeturinat ende hidhen në lumenj, derdhen ujërat e zeza, derisa në disa komuna ka vetëm një impiant për ujërat e zeza”, theksoi Salihu duke folur për problemet e ndotjes së ujit.
Si problem ajo vuri në dukje ndërtimin e mini-hidrocentraleve në lumenj, për të cilat deri më tani ka tre procese gjyqësore si dhe shfrytëzimin e pakontrolluar të llumit.
Edhe ajri sipas të gjeturave të raportit është jashtëzakonisht i ndotur dhe për këtë fajtori kryesorë janë dy termocentralet: Kosova A dhe Kosova B të cilat funksionojnë me thëngjill.
“Do të theksoja se Banka Botërore në raportin e saj ka theksuar se Kosova A është burimi më i keq i ndotjes në Evropë. Nuk është shumë më mirë gjendja edhe në Kosovë B sa i përket ndotjes së ajrit, emetimi i pluhurit është 18 herë më i lartë se vlerat e lejuara”, tha Salihu.
Disa nga rekomandimet e dhëna nga “Koalicioni 27” kanë qenë miratimi i Strategjisë së Energjisë, që duhet të jetë në linjë me strategjinë dhe planin për ndryshimet klimatike; miratimin e Ligjit për Ndryshime Klimatike; rritja e investimeve qeveritare në projekte që çojnë drejtë uljes së emetimeve të gazrave të dëmshëm, etj.
Marrë parasysh rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, mirëqenien e qytetarëve dhe kriteret për anëtarësimin e Kosovës në BE, “Koalicioni 27”, i cili përbëhet prej disa organizatave të shoqërisë civile, synon të luajë rolin e një mekanizmi avokues që përshpejton plotësimin e kritereve të BE-së për mbrojtjen e mjedisit./aa