Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2021 në Kosovë ka qenë 8,2 për qind apo rreth 154 mijë votues, transmeton Kosova Post.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në konferencë për media se zgjedhjet janë duke vazhduar të qeta dhe pa incidente që mund të pengojnë procesin.
Ai tha se deri më tash ka incidente minorene të cilat janë raportuar, por që nuk e pengojnë procesin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Radoniqi ka thënë se vendvotimet janë hapur të gjitha me kohë, në tërë Kosovën, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në mënyrë sa më masive.
Në këto zgjedhje gjithsej 1.885.448 qytetarë do të kenë të drejtë vote.
Këto zgjedhje për kryetarë të 38 komunave janë të pestat me radhë, ndërsa për anëtarët e Kuvendeve Komunale janë të shtatat me radhë, që nga mbajtja e parë e tyre në periudhën e pasluftës në Kosovë, në vitin 2000.
Ndërkohë, përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhje në gjithë territorin e Kosovës, si dhe në komunat përkatëse, mund ta ndiqni në faqen e KQZ-së: https://zgjedhjet2021.org/sq/mayr/t1