Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve akoma nuk ka nisur procesi i numërimit të votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se shpresojnë që sonte të nisin me këtë numërim, njofton Klan Kosova.
“Aktualisht shërbimi votues është duke bërë një verifikim të të dhënave dhe pas përfundimit të tij do të mund të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”.
“Po bëjmë përpjekje që sa më shpejtë të përmbyllim këtë proces të verifikimit dhe vlerësimit në mënyrë që të mund të nisim me numërimin e këtyre fletëvotimeve. Shpresojmë që do të arrijmë sonte të nisim me këtë numërim që e kemi paralajmëruar edhe më herët”.
“Numri i zarfeve me fletëvotime me kusht që do të numërohen është 31 mijë e 427 ndërsa numri i zarfeve me fletëvotime që u takojnë personave me nevoja të veçanta janë 2 mijë e 776”, deklaroi Elezi.
Elezi po ashtu tha se pas përmbylljes së gjithë këtij procesi KQZ-së i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare.
“Pas numërimit të këtyre fletëvotimeve natyrisht se do të mund të bëjmë edhe numërimin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga data 2 deri më 12 shkurt”.
“Menjëherë pas përmbylljes së gjithë këtij procesi të këtyre numërimeve KQZ-së i hapet rruga për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit”, deklaroi Elezi