Edi Rama po shpreh keqardhje për Serbinë, sepse kësaj here duhet të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ndoshta do të bënte ndryshe Rama, sikur ta përballonin dot shqiptarët, që edhe në këtë rast historik për Kosovën të votonte kundër nesh.
Sigurisht se aq larg nuk mund të shkonte, sado që si vijues i politikave të Enver Hoxhës, në raport me Kosovën, duke i parë serbët si vëllezër dhe shqiptarët si miq.
Injorimi ndaj Kosovës
Këtë e shprehu edhe mbrëmë në një mënyrë jo krejt të pazakontë. Për të bërë një foto nga takimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel me shefin e diplomacisë së BE-së, Josip Borell, Rama kishte zgjedhur të futej ndërmjet dy udhëheqësve serb, presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq dhe anëtarit serb të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Milorad Dodik, ndërsa në anën tjetër ishte lënë krejtësisht anash dhe në fund, zonja Donika Gërvalla, ministrja e Jashtme e Kosovës.
Pra, jo vetëm që nuk gjeti rast, dhe as nuk e krijoi atë, që të futej apo ta kishte në njërin krah zonjën Donika Gërvalla, por bëri atë që mendoj se jo vetëm e tregoi vijimësinë e tij politike e diplomatike, por edhe pozicionimin e tij simbolikisht kundër Kosovës, dhe kundër Perëndimit në betejën me Rusinë.
Dodik është kthyer në një simbol të prorusizmit në Ballkan. Këtë e ka thënë dhe shprehur hapur vetë, Dodiku, i cili disa herë është takuar me presidentin autokrat rus, Vladimir Putin. Natyrisht as këto takime nuk kanë ndodhur pa dijeninë dhe pa marrëveshje me Beogradin. Palë pra në këtë ka qenë edhe Vuçiqi, i cili po ashtu disa herë e ka takuar vetë diktatorin Putin.
Por, për dallim nga Vuçiqi, Dodiku edhe zyrtarisht është shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të dhe madje i janë vënë sanksione, për më tepër ai është tallur me ato, përfshirë edhe masën që t’i konfiskohen asetet në SHBA, nëse një pjesë të tyre ai e ka atje.
Po ashtu këtij hapi i qe bashkuar edhe Britania e Madhe, e cila i ka vënë po ashtu sanksione.
Këto i janë vërën kryesisht për shkak të përpjekjeve të tij, që ta shkatërrojë shtetin e Bosnje Hercegovinës, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Sanksionet nga Britania e Madhe i janë vënë në muajin prill Dodikut e bashkë me të edhe Cvijanoviçit, presidente e entitetit Republika Serbe të Bosnjës.
“Të dy politikanët janë duke minuar me qëllim paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë… të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, pat deklaruar me atë rast Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.
Edhe këto sanksione përveç se ia pamundësojnë udhëtimin në ktë shtet, ia ndalon edhe qasjen e përdorimin të çfarëdo pasurie që mund të kenë atje.
Pra, Edi Rama, po tregon të paktën simbolikisht se është në përkrahje dhe mbrojtje të dy figurave kundërshtare më të mëdha të Perëndimit në Evropë dhe në mbështetje të autokratit Putin.
Askush nuk do të ishte i interesuar të paktën në Kosovë të merret me të, sikur të ishte fjala për qëndrime personale të tija, por ai e përfaqëson Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe po e damkos dinjitetin shqiptarë.
Motivet e Ramës?!
Sidoqoftë në këto rrethana ai mund të ketë dy motive për ta bërë këtë. I pari, për të cilin edhe kemi shkruar më parë, është se duke qenë i korruptuar dhe komprometuar, ndërsa Shërbimi Sekret i Serbisë vepron lehtësisht në Shqipëri, ia ka krijuar me kohë një dosje të rëndë komprometuese, dhe se ai është i detyruar të sillet kështu kundër Kosovës, dhe në mbrojtje të Serbisë, çdo herë që mundet; Dhe
2. Edi Rama kësaj here është vërtetë i kërcënuar nga Perëndimi, për shkak se janë gjetur dëshmi të mjaftueshme komprometuese, për të cilat duhet të japë llogari para SPAK-ut.
Për ta zbutur këtë qëndrim, ai po përpiqet ta luajë lojën serbe, që Perëndimi të tërhiqet nga trysnia kundër tij, ose edhe ai do të zgjedhë ta orientojë Shqipërinë nga Lindja (Rusia, Kina…), siç bën Vuçiqi.
Parashikimi
Nëse sjellja e Ramës është duke u bërë sipas njërit prej modeleve të kësaj analize, atëherë ai është në fund të mandatit të tij politik, dhe vështirë se dikush mund ta shpëtojë.
Por, nëse ai këtë po e bënë nga arroganca dhe besimi se ai është aq i pavarur sa mund të sillet sipas ndjesisë së tij, pavarësisht ngjarjeve, kjo do të ishte sërish pandjeshmëri e tij, që e shpie në të njëjtin rezultat, dështimin politik.
Pra, Rama ka hyrë në një qerthull nga i cili nuk ka se si të dalë, përveçse si i dështuar! Këtë dështim, ai vërtetë do ta ketë të vështirë ta përballojë!/B.S