Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë e rajon.
Akademiku Kraja për Telegrafin ka folur edhe për politikën e brendshme në Kosovë, bashkëpunimin e shqiptarëve në rajon për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjen finale mes dy shteteve.
Lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, siç ka kërkuar Beogradi zyrtar, Kraja tha se vendimi ishte i drejtë.
“Sa i përket zgjedhjeve, unë mendoj se ata e kanë marrë përgjigjen e duhur dhe të drejtë nga institucionet e Kosovës. Sa herë që institucionet e Kosovës mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit, ne i mbështesim”, deklaroi Kraja.
Duke komentuar reagimin e shteteve të QUINT-it, të cilat përmes një komunikate të përbashkët u shprehen të zhgënjyer nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, akademiku Kraja vlerëson se reagimi i tyre ishte i padrejtë dhe i njëanshëm.
“Për punën e zgjedhjeve mendoj që reagimi i shteteve të QUINT-it ka qenë jo proporcional dhe jo adekuat, sepse e drejta për të vendosur për zgjedhjet e një shteti tjetër në shtetin tënd sovran i takon organeve të shtetit dhe askujt tjetër. Reagimi i shteteve të QUINT-it ishte i padrejtë karshi Kosovës”, tha ndër tjera ai.
“Shtetet e QUINT-it kanë bërë një deklaratë që për mendimin e tim është e njëanshme. E njëanshme, jo për shkak se mbështesin apo jo Qeverinë, por për shkak të parimeve. Pra, është shkel parimi i të drejtës së një shteti sovran për të vendosur ka apo s’ka zgjedhje të një shtetit tjetër në territorin e shtetit të tij. Askush nuk doli me deklaratë kundër Malit të Zi, që po ashtu refuzoi zgjedhjet serbe në territorin e vet”, shtoi akademiku.
Kraja ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se shumica e marrëveshjeve të arritura deri tash në Bruksel janë të dëmshme për Kosovën.
“Është instaluar kjo formë e dialogut që Serbia të mos marrë asgjë seriozisht, ose të merr vetëm atë se çka i intereson. Marrëveshjet kryesisht janë në dëm të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, theksoi ai.
Akademiku deklaroi se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë model i punës së keqe. Ndërsa tha se beson që diplomacia kosovare do të ulet dhe do t’i rishikojë këto marrëveshje.