Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka vizituar sot komunën e Kaçanikut.
Krasniqi u takua edhe me kryetarin e kësaj komune, Besim Ilazin, i cili vjen nga radhët e kësaj partie.
“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike”, ka thënë Krasniqi, sipas komunikatës së PDK-së.
“Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga Qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por Qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve. Ashtu siç po u shërben të gjithëve kryetari Besim Ilazi”.
“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka shtuar Krasniqi.