Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha sot se nuk beson se do të ketë ndalim total të platformave të huaja të internetit në Rusi, përcjell Kosova Post.
“Unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë, do të gjendet një mënyrë për të zgjidhur konfliktin. Askush nuk dëshiron një bllokadë totale, do të ishte budallallëk të mbështetësh diçka të tillë. Por, ne duhet të detyrojmë kompani të caktuara të huaja që të respektojnë rregullat tona”, tha Peskov sot.
Tutje theksoi Peskov se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, flet për nevojën për të gjetur një ekuilibër perfekt midis lirisë në internet dhe ligjit, transmeton sputnik. “Sa më shumë kohë të kalojmë në Internet, duhet të ketë më shumë rregulla. Dhe ato duhet të jenë të njëjta për të gjithë, përfshirë kompanitë e huaja, sepse interneti nuk ka kufij. Kompanitë e huaja duhet të jenë në përputhje me normat dhe rregullat vendore në vendet në të cilat veprojnë”, tha Peskov./Kosova Post/