Një debat i madh është nxitur ditëve të fundit rreth projektkodit civil, sidomos tek pjesa e lejimit të martesës mes gjinive të njëjtë, raporton KosovaPost.
Aktin e martesës mes gjinive të njëjta e lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për familjen.
Kodi civil i Republikës së Kosovës, Neni 1138 kapitulli për martesën thotë:
“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit (ofiqarit) të gjendjes civile”.
Bashkësia Islame e Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës, së bashku kanë dalë me qëndrim rreth kodit civil që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
Këto bashkësi fetare pas konsultimeve mes tyre, kanë kundërshtuar kodit civil që pritet të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.
“Bashkësia Islame e Kosovës, Ipeshkëvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës shprehin shqetësimin në lidhje projektligjin për ndryshimin e Projektligjit për Kodin civil, pjesa e familjes ku po rrezikohet të dëmtohet funksionimi i martesës në Kosovë. Bashkësitë tona mbesin të bashkuara në lidhje me mbrojtjen e vlerave të familjes, jetës, vlerave tradicionale të bashkëshortësisë”.
“Ta prekësh ripërkufizimin e martesës dhe pjesëmarrësve në të (burrit dhe gruas), cenohet drejtpërdrejtë fjala dhe vullneti i Zotit”.
“Me prekjen e martesës, po preket fondamenti i shoqërisë sonë, që është trashëguar me mijëra vjet dhe që lejon funksionin normal të shoqërisë pavarësisht bindjeve fetare”.
“Me bashkëjetesën e dy personave te gjinisë së njëjtë nuk pajtohemi ta quajmë martesë apo kurorëzim dhe jemi kundër orientimit që këta të adoptojmë fëmijë”, thuhet tutje në reagimin e përbashkët të krerëve të bashkësive fetare në Kosovë.