Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, është rizgjedhur në krye të agjencisë botërore të shëndetësisë për një mandat të dytë pesëvjeçar, transmeton Kosova Post.
Në një deklaratë të OBSH-së bëhet e ditur se Tedros, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2017, ishte kandidati i vetëm dhe u rizgjodh gjatë Asamblesë së 75-të Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.
Në deklaratë thuhet se si pjesë e mandatit të tij të parë, Tedros “krijoi një transformim të gjerë të OBSH-së, që synon rritjen e efektshmërisë së ndikimit të Organizatës në nivel të vendeve për të promovuar jetë më të shëndetshme, për të mbrojtur më shumë njerëz në emergjenca dhe për të rritur qasjen e barabartë në shëndetësi”.
Ai udhëhoqi reagimin e agjencisë shëndetësore “për pandeminë COVID-19, shpërthimet e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe ndikimet shëndetësore të krizave të tjera të shumta humanitare”.aa