Ditë më pare Lideri në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka cilësuar sit ë padinjitetshme deklarimin e kryeministrit Albin Kurti se nuk i janë dorëzuar dokumentet për dialogun Kosovë-Serbi.
Hoxhaj ka thënë se asnjë kryeministër nuk e thotë publikisht, në mënyrën siç e tha Kurti se është i informuar për dialogun më shumë nga emisari special i BE-së për dialogun, Mirsolav Lajçak.
“Kjo është e padinjitetshme. Nuk e thotë asnjë kryeministri publikisht në mënyrën siç e tha Kurti se është informuar më shumë nga Lajcak. Unë mendoj që jo në Qeveri të Kosovës, por edhe organizata joqeveritare në Kosovë, të cilët e kanë përcjell dialogun, i kanë të gjitha marrëveshjet e dialogut. Nuk duhet të bëjë filma, për të krijuar situate që nuk ka dokumentacion”, tha Hoxhaj.
Përveç Hoxhaj, Kurti ka marrë kritika edhe nga Ish-koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, i cili tha se nuk ka aspak besim që Kryeministri Kurti mund ta përmbyllë këtë proces historik për Kosovën.
E lidhur me kritikat ndaj Kurtit, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Të paarsyeshme kritikat e opozitës”
Analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qëllimi i Kurtit nuk është që të bëjë dialog me Serbinë për t’u arsyetuar, por për realizmin e qëllimeve përfundimtare për njohje.
Ai shton se puna e dialogut është serioze, andaj Kurti kërkon durim dhe zgjuarsi politike, dhe sipas tij, Kurti nuk ka përballje dialoguese vetëm me Vuçiqin por edhe me Borrellin, Lajçakun madje edhe me BE-në dhe SHBA-të.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shumë më mirë të mos dialogojë me Vuçiqin në formën e takimeve të pavlefshme e të stërzgjatura të Hashim Thaçit me Vuçiqin sa për të shkëmbyer biseda të kota politike në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë. Qëllimi i Albin Kurtit nuk është të dialogojë me Serbinë për t’u arsyetuar, por për të realizuar qëllimin final e përfundimtar për njohje reciproke. Puna e dialogut me Serbinë nuk është problem i lehtë, por problem serioz që nuk mund të vendos krye me vete kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai shpreh përgjegjësi shtetërore, kërkon durim, zgjuarsi e mençuri politike për të dialoguar me Serbinë. Kryeministri i Kosovës ka përballje dialoguese jo vetëm me Vuçiqin, por edhe me Borrelin, Lajçakun, BE-në dhe SHBA-në”, ka potencuar ai.
Tutje, ai theksoi se këto janë vetëm kritika të opozitës, sepse aftësia politike sipas Mehazit, matet me përgatitje dialoguese.
Profesori ka përmendur disa prej të cilave duhet të ketë përgatitje politike, e që sipas tij janë aktakuzat e Qeverisë ndaj Serbisë, madje edhe ftesa e grupit profesional për dialogim.
Më tej, ai ka shtuar se në rast se dialogu me Serbinë nuk është për Kosovën i frytshëm, atëherë Kurti duhet t’i mohojë takimet me Vuqiçin.
“Prandaj të paarsyeshme janë kritikat e opozitës, se Albin Kurti frikësohet e nuk është i aftë të dialogojë me Serbinë. Aftësia politike nuk matet në këtë mënyrë, por me përgatitje dialoguese, edhe nëpër dasma nuk shkohet pa përgatitje, e jo në dialogje politike shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Aktakuza e qeverisë së Albin Kurtit ndaj Serbisë në Gjyqin Ndërkombëtar për krimet e bëra në Kosovë kërkon përgatitje politike, ftesa e grupit profesional gjatë dialogut me Serbinë do përgatitje dialoguese, parapërgatitjet e përgatitjet politike bëhen për të triumfuar Kosova e jo për t’u mposhtur para Serbisë. Po qe se dialogu me Serbinë nuk është i frytshëm për Kosovën, atëherë nuk ka nevojë Albin Kurti të takohet me Vuçiqin, përkundrazi duhet mohuar këto takime me Serbinë”, përfundoi Mehazi.