Ministri i Punëve të Jashtme i Japonisë, Yoshimasa Hayashi, ka deklaruar se vendi i tij me vendosmëri do të paraqesë pikëpamjet e saj në angazhimin me Kinën, transmeton Kosova Post.
“Ne duhet të pohojmë me vendosmëri atë që duhet t’i themi Kinës dhe duhet t’i kërkojmë Kinës të ndërmarrë veprime dhe sjellje të përgjegjshme”, tha Hayashi në konferencën e tij të parë për media si ministër i jashtëm në Tokio.
Ai tha se Japonia do të bashkëpunojë me Kinën përmes dialogut në adresimin e çështjeve të përbashkëta, shkruan AA.
60-vjeçari Hayashi, një i diplomuar në Universitetin e Harvardit, dje u zgjodh ministër i jashtëm pasi parlamenti japonez ri-zgjodhi Fumio Kishida-n kryeministër, pasi Partia Liberal Demokratike (LDP) në pushtet fitoi zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar.
Hayashi më parë drejtoi një grup parlamentar ndër-partiak që promovonte miqësinë Japoni-Kinë, një detyrë që ai ka vendosur ta braktisë “për të shmangur shkaktimin e keqkuptimeve të panevojshme”.
“Ne po shohim sfida më serioze ndaj vlerave universale, të cilat kanë mbështetur paqen dhe stabilitetin e komunitetit ndërkombëtar dhe rendit ndërkombëtar”, tha Hayashi.
Kryediplomati japonez tha se Kina është fuqia e dytë më e madhe ekonomike në botë.
“Prandaj, veprimet e saj kanë rritur ndikimin në komunitetin ndërkombëtar. Është e rëndësishme që Kina të ndjekë rregullat e komunitetit ndërkombëtar dhe t’i përgjigjet pritjeve të komunitetit ndërkombëtar”, tha Hayashi.