Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar demonstratat e vitit ’81, duke shprehur se studentët kishin vendosur që radhët e gjata të pritjes për shujtën e ushqimit t’i kthenin në shtigje të çlirimit, shkruan KosovaPost.
“Studentët kërkonin dinjitet, kushte të barabarta të trajtimit dhe ndaljen e dhunës policore. Kërkesave të tyre iu bashkuan punëtorët, e populli mbarë. Demonstruesit kërkonin liri, drejtësi, e përparim shoqëror, të drejta kombëtare, qytetare e njerëzore. Kërkonin Republikë e Vetëvendosje”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Pranvera shqiptare e ‘81-ës
Më 11 mars 1981, studentët kishin vendosur që radhët e gjata të pritjes për shujtën e ushqimit t’i kthenin në shtigje të çlirimit. Nga renditja para mensës, në ballë të demonstratave masive.
Studentët kërkonin dinjitet, kushte të barabarta të trajtimit dhe ndaljen e dhunës policore. Kërkesave të tyre iu bashkuan punëtorët, e populli mbarë. Demonstruesit kërkonin liri, drejtësi, e përparim shoqëror, të drejta kombëtare, qytetare e njerëzore. Kërkonin Republikë e Vetëvendosje.
As brutaliteti policor, e as plumbat e burgjet, nuk i ndalën demonstruesit e marsit të vitit 1981. Ata i dhanë fillim një pranvere shqiptare që i dha fund një federate të padrejtë jugosllave.
Në 41 vjetorin e demonstratave të pranverës ’81, bashkë me deputetët e Kuvendit vizituam veprimtarin dhe ish deputetin, Ali Lajçi, dhe pritëm në kryeministri veprimtarë e veprimtare, ish të burgosur, bashkë organizatorë të demonstratës së 11 marsit të vitit 1981. Bashkëbisedimi me ta na e kujton rrugën e gjatë, të pakthyeshme e përplot krenari të ngritjes dhe çlirimit të Kosovës./KosovaPost/