Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin e Qeverisë, ndërsa agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë së re kombëtare të zhvillimit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapje të KosICT 10, transmeton Kosova Post.
Në konferencën më të madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), kryeministri Kurti mori pjesë së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Kryeministri vuri theksin te rëndësia e transformimit digjital, si një shtytës i rëndësishëm i produktivitetit dhe rritjes në ekonomi.
“Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si nxitës për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes”, tha ai.
Kryeministri Kurti veçoi disa nga aktivitetet kryesore në të cilat qeveria është angazhuar në fushën e digjitalizimit, inovacionit dhe ndërmarrësisë si shtytës vendimtarë të zhvillimit socio-ekonomik në vendin tonë.
“Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së këtij sektori në Kosovë”, tha ai.
Si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të miratuar nga Qeveria, është një masë e cila mbështet trajnimet për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe subvencionon pagat për të rinjtë që do të punësohen në këtë sektor. Kjo masë synon të rrisë punësimin e të rinjve, por në të njëjtën kohë synon të adresojë nevojat e industrisë së TIK-ut për profesionistë të aftë.
Kryeministri theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Qeverisë për ta bërë Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren një qendër kombëtare dhe rajonale për ndërmarrësi dhe inovacion.
Po ashtu, konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për të bashkëpunuar ngushtë me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën e teknologjisë KosICT 10:
Të nderuar organizatorë të KosICT, Menaxhment i STIKK, Znj. Sahatçiu dhe Znj. Çavolli,
Të nderuar mysafirë dhe anëtarë të komunitetit të TIK,
I nderuar Ambasador i Republikës Federale Gjermane,
I nderuar shef i USAID-it,
Të nderuar ministra,
I nderuar Kryetar i Komunës së Prizrenit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar miq,
Është kënaqësi për mua t’u drejtohem në edicionin e 10-të të KosICT – një festival i TIK-ut që është bërë një nga ngjarjet dhe promovuesit kryesorë të këtij sektori në Kosovë.
Është fakt i ditur se transformimi digjital është një shtytës i rëndësishëm i produktivitetit dhe rritjes në ekonomi. Kam lexuar kohët e fundit se Estonia kursen mbi 2% të BPV-së së saj vetëm duke përdorur nënshkrime digjitale në vend që të kërkojë letër.
Digjitalizimi është një nga objektivat kryesorë në programin tonë qeverisës. Agjenda e re digjitale do të jetë një nga pikat kryesore të strategjisë sonë të re kombëtare të zhvillimit.
Ne synojmë të përdorim transformimin digjital si një nxitës për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin e shëndetësisë, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes. Ne po hedhim themelet strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët, duke u siguruar në ndërkohë që të kemi një qasje të unifikuar qeverisëse ndaj digjitalizimit, e cila është e koordinuar dhe e harmonizuar në të gjithë sektorët.
Do të doja të përmendja disa nga aktivitetet kryesore në fushën e digjitalizimit, inovacionit dhe ndërmarrësisë në të cilat jemi aktualisht të angazhuar:
– Për sa i përket planit tonë legjislativ, qeveria jonë ka miratuar ligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e trustit në transaksionet elektronike.
– Kemi miratuar ligjin për gjykatën komerciale i cili është i rëndësishëm për të gjithë sektorët e ekonomisë. Do të rrisë efikasitetin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve tregtare, gjë që do të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe do ta bëjë vendin tonë më tërheqës për investime në të gjithë sektorët, përfshirë TIK-un.
– Këtë vit planifikojmë të procedojmë me ligjin për sigurinë kibernetike që është një çështje shumë e rëndësishme për t’u trajtuar pasi synojmë digjitalizimin e qeverisë dhe ekonomisë sonë.
– Për sa i përket qeverisjes elektronike (e-Qeverisja), po punojmë në krijimin e shërbimeve elektronike me qytetarin në qendër, të cilat synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
– Me miratimin e legjislacionit për identifikimin elektronik (e-ID), ne kemi hapur dyert për zbatimin e vërtetimit elektronik dhe nënshkrimeve elektronike – një projekt kyç që do të fillojë së shpejti dhe do të mundësojë ofrimin e shumë shërbimeve elektronike “end-to-end” jo vetëm nga qeveria, por edhe nga sektori financiar dhe bizneset.
– Pagesat elektronike të cilat pritet të lansohen së shpejti janë një tjetër komponent i rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve “end-to-end” të qeverisjes elektronike.
– Digjitalizimi në arsim është një komponent kyç i reformës në këtë sektor që synon të përmirësojë cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet për të siguruar që trendet globale të prezantohen me shpejtësi tek fëmijët në Kosovë. Përvoja jonë me pandeminë theksoi nevojën për digjitalizimin e shkollave tona sa më shpejt të jetë e mundur. Prandaj, ndërsa po punojmë në strategjinë e re për arsimin — digjitalizimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të strategjisë.
– Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore për nevojat e industrisë së TIK-ut është mundësia kryesore për çlirimin e potencialit të rritjes së këtij sektori në Kosovë. Si pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike që kemi miratuar, kemi përfshirë një masë, e cila mbështet trajnimet për TIK dhe subvencionon pagat për të rinjtë që do të punësohen në sektorin e TIK. Kjo masë synon të rrisë punësimin e të rinjve, por në të njëjtën kohë synon të adresojë nevojat e industrisë së TIK-ut për profesionistë të aftë.
– Kërkimi, inovacioni dhe ndërmarrësia janë shtytës të rëndësishëm të zhvillimit socio-ekonomik në vendin tonë.
– Ne i kemi përfunduar negociatat me BE-në dhe deri në fund të vitit presim që të ratifikojmë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Horizon 2020. Kjo do t’u hapë dyert hulumtuesve dhe bizneseve që të përfitojnë nga qasja në burimet kërkimore të BE-së.
– Ne po vazhdojmë angazhimin tonë për ta bërë Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren një qendër kombëtare dhe rajonale për sipërmarrjen dhe inovacionin.
– Përfundimi i Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, në periferi të Prishtinës, do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e sektorit të TIK-ut.
– Puna në themelimin e Rrjetit Kosovar për Hulumtim dhe Edukim dhe ndërlidhjen e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat me GÉANT – një rrjet pan-evropian për ekselencë shkencore, hulumtime, edukim dhe inovacion – është një hap tjetër i rëndësishëm në krijimin dhe mundësimin e infrastrukturës për hulumtim dhe edukim.
Për një kohë të gjatë kemi pasur një komunitet të TIK-ut me aftësi dhe energji me të cilat qeveria nuk mund të angazhohej. Tani kemi një qeveri që dëshiron të dalë përpara, duke investuar në infrastrukturë dhe aftësi digjitale, në mënyrë që të përballemi me sfidat që na presin.
Ka shumë mësime për të mësuar nga kjo pandemi; rëndësia e teknologjisë dhe digjitalizimit ka qenë thelbësore. Meme “kjo mund të ishte kryer me një e-mail (that could have been an e-mail)” ndoshta kap më të mirën e mësimit që na është dhënë. Shumë takime mund të kishin qenë një e-mail, ashtu si shumë konferenca mund të kishin qenë një videokonferencë.
Ne duhet të përfitojmë nga ky shans që ofron mundësi të pafundme. Çdo qytetar/e me një ide për biznes duhet të jetë në gjendje t’i shesë produktet e saj ose të tij online kudo që të jetë; qoftë në majat më të larta të Sharrit apo në qendër të qytetit në Prishtinë.
Qeveria do të bëjë pjesën e saj, por për të qenë të suksesshëm duhet të punojmë së bashku. Transformimi digjital i vendit tonë kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik dhe privat. Ne jemi të hapur dhe të gatshëm për të bashkëpunuar ngushtë me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë.