Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Nënsekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Italisë, Benedetto Della Vedova, transmeton Kosova Post.
“Duke potencuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Italisë për vendin tonë. Duke vlerësuar Italinë si partner dhe aleat edhe në BE dhe NATO, kryeministri vlerësoi kontributin dhe ndihmën e Italisë për Kosovën, dhënë nëpërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, thuhet në njoftimin nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës.
Tutje theksohet në njoftim se shefi i ekzekutivit të vendit , Albin Kurti theksoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritje të shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve dhe gatishmërinë për tërheqje të investimeve në Kosovë.
Në anën tjetër, nënsekretari italian i Shtetit, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen.
“Duke biseduar për indikatorët pozitiv ekonomik, të dy u pajtuan se demokracia është mënyra më e mirë për të arritur rritje ekonomike”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në bazë të njoftimit, bëhet e ditur se z.Della Vedova përgëzoi Kryeministrin për pozicionimin e qartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.
Ndërkaq, në takim u theksua domosdoshmëria e parandalimit të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor..Kosova Post.